Ministrja Rizvanolli merr pjesë në Takimin Informal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë
Në këtë takim të mbajtur në format online është diskutuar për amandamentimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, Kornizën e Energjisë dhe Klimës për vitin 2030 si dhe hartimin e rrugës për targetin e dekarbonizimit deri në vitin 2050.
Gjatë fjalimit tësaj, Ministrja Rizvanolli ka theksuar që Kosova e vlerëson procesin e reformimit të Traktatit dhe që Kosova është pjesë e tij që nga viti 2005, kur UNMIK-u ka nënshkruar marrëveshjen në kuadër të institucioneve të Kosovës, kurse në 2008 institucionet e Republikës së Pavarur të Kosovës kanë filluar të marrin pjesë në të gjitha aktivitetet e Traktatit, duke përfshirë këtu edhe kontributin ndaj buxhetit të Sekretariatit në Vjenë.
Për këto arsye, Ministrja zyrtarisht ka kërkuar që të ndërrohet emri në Republikën e Kosovës në Traktat, për të shmangur çfarëdo pasiguri ligjore mbi të drejtat dhe përgjegjësitë.
Gjatë diskutimeve teknike, Ministrja ka deklaruar që qëndrojmë prapa obligimeve të Kosovës në lidhje me procesin e tanishëm dhe angazhimeve që ka bërë Kosova dhe që tani jemi në proces të zhvillimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë dhe Klimës për targetat e vitit 2030.