Ministrja Rizvanolli merr pjesë në Takimin e Gjashtë të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Fushën e Energjisë (P-TEC) në Athinë
Athinë, 7 Nëntor 2025 – Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, mori pjesë në Takimin e Gjashtë të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Fushën e Energjisë (P-TEC), të mbajtur në Athinë, me ftesë të Sekretarit të Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Chris Wright dhe Ministrit të Mjedisit dhe Energjisë të Greqisë, Stavros Papastavrou.
Në këtë takim ministror të nivelit të lartë morën pjesë Ministrja dhe përfaqësues nga 24 shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore, Departamenti i Energjisë i ShBA-ve dhe Komisioni Evropian. Diskutimet u përqendruan në sigurinë energjetike dhe bashkëpunimin rajonal.
Ministrja Rizvanolli prezantoi prioritetet e Republikës së Kosovës në sektorin e energjisë, duke theksuar rëndësinë e sigurisë dhe pavarësisë energjetike përmes rritjes së prodhimit vendor.
Ajo theksoi se procesi i rehabilitimit dhe modernizimit të termocentraleve ekzistuese tashmë ka filluar, krahas zhvillimit të kapaciteteve të reja gjeneruese nga burime të ripërtëritshme, dielli dhe era përmes ankandeve, si dhe ndërtimit të rezervave energjetike përmes baterive me përkahje të grantit nga ShBA.
Në fjalën e saj, Ministrja vuri gjithashtu theksin mbi përballueshmërinë e energjisë për qytetarët dhe bizneset, duke theksuar rëndësinë e rritjes së prodhimit vendor si dhe të efiçiencës së energjisë për uljen e kostove dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së sistemit energjetik.
Një tjetër pikë thelbësore e paraqitur nga Ministrja ishte integrimi rajonal i tregut të energjisë elektrike. Pas bashkëdyzimit të tregut me Shqipërinë përmes ALPEX-it vitin e kaluar, Kosova po punon për të zgjeruar integrimin edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, duke kontribuar kështu në krijimin e një tregu të përbashkët energjetik në rajon.
Gjatë diskutimeve, Ministrja Rizvanolli ngriti shqetësimin për bllokimin e linjes së transmisionit nga Serbia në kufirin Kosovë-Serbi, një veprim që shkakton pasoja të drejtpërdrejta ekonomike për rajonin dhe rrezikon sigurinë energjetike të Kosovës.
Ministrja theksoi se mbingarkesa e linjave të tjera të transmisionit, si pasojë e këtij bllokimi, ka ndikuar në rritjen e kostos së transmisionit për konsumatorët e Kosovës.
Ministrja theksoi se përderisa diskutohet për bashkëpunim dhe ndërtim të infrastrukturës së re energjetike në Evropë, është e domosdoshme të adresohen edhe pengesat ekzistuese që minojnë bashkëpunimin rajonal.



