Ministrja Rizvanolli merr pjesë në takimin e 8-të të Komitetit për Energji dhe Klimë

Prishtinë, 12.04.2022 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në takimin e 8-të të Komitetit për Energji dhe Klimë (ECC), në të cilin takim përveç vendeve kontraktuese të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë kanë marrë pjesë edhe Komisionerja për Energji e Bashkimit Evropian, Kadri Simson, si dhe drejtori i Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski.

Ministrja Rizvanolli në këtë takim ka ndarë perspektivën e Republikës së Kosovës në qasjen ndaj vendosjes së targeteve për vitin 2030 dhe çmimet e larta të energjisë.

E para e ME-së tha se Strategjia e Energjisë 2022 – 2031 e Republikës së Kosovës është në përputhje me targetet dhe marrëveshjet paraprake të Komunitetit të Energjisë dhe Komisionit Evropian.

Tutje ministrja Rizvanolli u shpreh se fokusi i Qeverisë së Kosovës në këtë strategji është rruga afatgjate drejt dekarbonizimit deri në vitin 2050, duke ruajtur sigurinë e furnizimit me energjie elektrike, përballueshmërinë e çmimeve për konsumatorët fundorë, rritjen e përdorimit të energjisë së pastër, si dhe sigurimin e integrimit në treg rajonal në një mënyrë ekonomikisht të qëndrueshme.