Ministrja Rizvanolli merr pjesë në shënimin e Ditës Botërore të Postës
Prishtinë, 09.10.2024 – Në Postën e Kosovës sot është shënuar Dita Botërore e Postës, ku në një ceremoni janë nderuar punonjësit me përvojë të gjatë, të cilët kanë dhënë vite të tëra shërbimi në Postën e Kosovës.
Në ceremoni ka marrë pjesë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila falënderoi punonjësit e Postës për punën e palodhshme të tyre dhe shprehu mbështetjen e saj për zhvillimin e mëtejshëm të Postës së Kosovës.
Ndërsa, kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci theksoi se Dita Botërore e Postës ofron mundësi të reflektojmë mbi rëndësinë e shërbimit postar dhe të shprehim mirënjohjen për të gjithë ata që kanë punuar pa u lodhur për të mbështetur këtë shërbim. “Sot nderojmë kontributin e atyre që kanë qenë pjesë e ekipit tonë për shumë vite, si dhe falënderimet tona shkojnë për secilin prej jush për përkushtimin dhe profesionalizmin”, tha ajo.
Në emër të punëtorëve të Postës, Farije Jashari, një nga punonjëset më me përvojë, ndau përvojat e saj nga dekadat e punës.
Në shënimin e Ditës Botërore të Postës, punonjësve me përvojë të gjatë, të cilët kanë kontribuar me dekada në ditët më të mira e më të vështira të Postës, iu ndanë mirënjohje dhe dhurata simbolike në shenjë respekti për kontributin e tyre, e të cilët do të pensionohen në 12 muajt e ardhshëm.