Ministrja Rizvanolli merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar “EXPOKOS 2022”

Prishtinë, 25.05.2022 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në Edicionin e 21-të të Panairit Ndërkombëtar “EXPOKOS 2022”, ku po ashtu pjesëmarrës ishin zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi si dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Panairi Ndërkombëtar “EXPOKOS” është ngjarje e cila i dedikohet bizneseve të cilat i përkasin sektorit të ndërtimit, energjisë, makinerisë dhe mbrojtjes e sigurisë, ku pjesëmarrëse janë biznese nga Gjermania, Greqia, Italia, Turqia dhe vendet fqinje.

Gjatë fjalimit hyrës, Ministrja Rizvanolli ka ndarë me pjesëmarrësit idetë rreth sektorit të energjisë dhe Strategjisë së Energjisë 2022-2031, e cila ndër të tjera, ka për qëllim zhvillimin dhe transformimin e sektorit të energjisë në përputhje me Planin e Gjelbër të BE-së. Tutje, Ministrja Rizvanolli ka cekur që “nuk mund të gabojmë nëse investojmë në energji, qoftë investime publike apo private”.

Gjatë vizitës, Ministrja Rizvanolli është takuar edhe me kryetarin e Odës së Bizneseve në Danimarkë, Mariano A. Davies, si dhe ka vizituar stendat e panairit ku është takuar dhe ka biseduar me përfaqësues të bizneseve kosovare, italiane, gjermane, ndër të tjera.
Gjatë vizitës, Ministrja dhe përfaqësuesit e bizneseve kanë diskutuar mbi veprimtarinë e bizneseve dhe mundësinë se si Ministria e Ekonomisë mundet të ndihmojë zhvillimin e mëtutjeshëm të tyre.