Ministrja Rizvanolli merr pjesë në Konferencën ”Dialogu i Tranzicionit të Energjisë në Berlin 2025″
Berlin, 21.03.2025 – Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, me ftesë të zëvendëskancelarit gjerman, Robert Habeck dhe ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka marr pjesë në Konferencën “Dialogu i Tranzicionit të Energjisë në Berlin 2025 (BETD25)”.
Ministrja Rizvanolli, gjatë diskutimit në panelin me temë “Qasja ndërsektoriale për tejkalimin e mungesës së fuqisë punëtore në tranzicionin drejt energjisë së gjelbër”, tha se Kosova ka një rini të aftë dhe që është gjithnjë e më e orientuar drejt STEM-it, ndërsa politikat e duhura po krijojnë mundësi për zhvillim dhe përfshirje më të madhe.
Ajo po ashtu deklaroi se përvoja dhe iniciativat nga vende të ndryshme tregojnë se investimi në aftësim dhe diversitet sjell inovacion dhe qëndrueshmëri në sektorin energjetik.
Ministrja Rizvanolli po ashtu shtoi se në Kosovë po zhvillohen programe trajnimi afatshkurtër dhe programe të arsimit terciar dhe po krijohen skema certifikimi për profesionet e reja të burimeve të ripërtërishme të energjisë (BRE), të tilla si instalimi i sistemeve.
Pjesë e këtij paneli përveç ministres Rizvanolli ishin edhe Raphael PM Lotilla, sekretar i energjisë në Filipine, Damilola Asaleye, Bashkëthemeluese dhe COO e Shoqatës së Energjisë së Rinovueshme të Nigerisë dhe Anant Wadhwa, nga Energji e Qëndrueshme për të Gjithë (SEforALL).
Ky është edicioni i 11-të i Tranzicionit të Energjisë në Berlin, i cili mbahet në Zyrën e Jashtme Federale më 18 dhe 19 mars 2025 dhe ku po marrin pjesë ekspertë, politik-bërës dhe zyrtarë qeveritar nga shumë shtete të botës.
Kjo konferencë është një nga konferencat më të rëndësishme të sektorit të energjisë, e cila mbahet çdo vit në të njëjtin vend dhe shërben si seli ku palët pjesëmarrëse të sektorit të energjisë mblidhen në dialogun e tranzicionit të energjisë në Berlin për të quar përpara tranzicionin e energjisë.
Dialogu i Tranzicionit të Energjisë mbështetet nga Qeveria Federale e Gjermanisë dhe është një nismë e përbashkët e Federatës Gjermane të Energjisë së Rinovueshme, Shoqatës Gjermane Solare dhe Agjencisë Gjermane të Energjisë.