Ministrja Rizvanolli merr pjesë në diskutimin për Deklaratën e Partneritetit për Klimë dhe Energji mes Kosovës dhe Gjermanisë
Prishtinë, 07.05.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), ku i pranishëm ishte zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Conrad dhe përfaqësues të bizneseve.
Ngjarja ishte pjesë e takimeve që mbahen në kuadër të Rrjetit i Bizneseve për Energji të Pastër (RrBEP – N4CEB), ku u diskutua rëndësia e nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit për Klimë dhe Energji mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Gjatë takimit, Ministrja Rizvanolli ka shtjelluar hapat e mëtutjeshëm që do të ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës në zbatim të kësaj deklarate.
Po ashtu, Ministrja Rizvanolli ka treguar për zhvillimet e fundit dhe arritjet në sektorin e energjisë së ripërtërishme, duke adresuar sfidat dhe potencialin e këtij sektori dhe ka shpjeguar mundësitë që ofrojnë politikat në sektorin e energjisë për zhvillimin e sektorit privat.
Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të kompanive të sektorit të energjisë së ripërtërishme, arkitekturës, transportit, konsulentë ESG, transportuesit dhe kompanive ligjore, të cilët ofruan rekomandime konkrete në lidhje me prioritetet që duhet të përfshihen në mbështetjen e deklaratës.