Ministrja Rizvanolli mban takim koordinues me Shoqërinë Civile për Strategjinë e Energjisë

Prishtinë, 17.01.2022 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është takuar me përfaqësuesit e shoqërisë civile për të koordinuar objektivat dhe aktivitetet sa i përket hartimit të Strategjisë së Energjisë 2022-2031.

Gjatë takimit, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka prezantuar vizionin i cili udhëheqë Strategjinë e Energjisë 2022-2031 por edhe rrugën e Kosovës drejt dekarbonizimit deri në vitin 2050.

Tutje, Drejtori i Departamentit të Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë, Sabit Gashi ka prezantuar metodologjinë dhe procesin e punës së hartimit të Strategjisë e cila është duke u bërë në bashkëpunim me ekspertë të sektorit nga të gjitha institucionet relevante. Dr. Laszlo Szabo nga Instituti REKK ka prezantuar përmbajtjen e dokumentit strategjik.

Objektivat kryesore të Strategjisë së Energjisë 2022 – 2031 janë rritja e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji, përballueshmëria financiare për konsumatorët, si dhe rruga drejt procesit të dekarbonizimt.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të hartojë një Strategji gjithëpërfshirëse ku do të merren parasysh të gjitha elementet që do të ndikojnë në një tranzicion të drejtë energjetik për secilin qytetar e biznes të Kosovës.

Diskutimet gjatë takimit kanë përfshirë zhvillimin e sektorit të energjisë me përfshirje sa më të madhe të burimeve të ripërtëritshme të energjisë në gjenerim të energjisë, zbatimit të masave të efiçiencës se energjisë, si  dhe ulje të emetimit të gazrave serë të mbështetur në analiza të kostove të opsioneve më të lira dhe më të favorshme për vendin tonë.

Procesi i diskutimit dhe konsultimit me të gjithë akterët relevantë dhe me interes të sektorit të energjisë do të vazhdojë deri në finalizimin e Strategjisë së Energjisë në mënyrë që ky proces të vazhdojë të jetë sa më transparent dhe i qasshëm për të gjithë akterët relevantë.