Ministrja Rizvanolli ka pritur në takim Dale Pfeiffer, themelues i Fondit Kosovaro-Amerikan për Edukim

 

Prishtinë, 01.02.2022 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka pritur në takim një ndër themeluesit e Fondit Kosovaro-Amerikan të Edukimit (KAEF), Dale Pfeiffer për të diskutuar rreth këtij fondi.

 

Deri më tash, KAEF ka kryer një punë të suksesshme të ofrimit të bursave për studentë të Republikës së Kosovës për studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim kryesor të edukimit dhe aftësimit të të rinjve.

 

Gjatë takimit, Pfeiffer e ka njoftuar Ministren rreth punës dhe të arriturave të programit dhe bursistëve të programit, të cilët pasi janë kthyer në Kosovë kanë vazhduar të ofrojnë kontributin e tyre në sektorin publik e privat, si dhe në shoqërinë civile, duke kontribuar kështu edhe në rritjen e vendeve të punës.

 

Ministrja Rizvanolli ka cekur që edukimi është shtylla kryesore e zhvillimit të vendit tonë dhe ka përgëzuar KAEF-in për punën dhe kontributin që kanë dhënë deri më tani. Ajo ka shprehur mbështetje të plotë për të gjitha iniciativat, të cilat për qëllim primar e kanë edukimin dhe shkathtësimin e të rinjve si dhe përfshirjen më të gjerë të grave në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

 

Ministrja për fund ka shprehur përkrahje të plotë për KAEF-in si dhe punën e tyre në aftësimin e të rinjve.