Ministrja Rizvanolli ka përfaqësuar Kosovën për herë të parë në Forumin e Energjisë të Evropës Juglindore

Selanik, 09.09.2022 – Ministrja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli ka përfaqësuar Republikën e Kosovës për herë të parë në Forumin e Energjisë të Evropës Juglindore, i cili është mbajtur në Selanik të Greqisë.

Ministrja Rizvanolli ka qenë pjesë e panelit “Rajoni i Evropës Juglindore dhe Mesdheut Lindor: Bashkëpunimi në energji drejt sigurisë energjetike përtej kufijve” krahas ministrave të rajonit dhe përfaqësues nga Departamenti i Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministrat e rajonit gjatë panelit kanë diskutuar për hapat e përbashkët për t’u përballur me krizën energjetike botërore, duke theksuar edhe rëndësinë e përfshirjes së shteteve të Ballkanit Perëndimor në mekanizmat dhe iniciativat e Bashkimit Evropian për t’u përballur me krizën.

Ministrja Rizvanolli ka diskutuar për hapat që Republika e Kosovës ka ndërmarrë deri tash dhe është duke u përgatitur për t’u përballur me krizën, dhe për të lehtësuar barrën e krizës tek qytetarët e bizneset e vendit, duke u fokusuar në nismat për bashkëpunim me vendet fqinje, veçanërisht tash përmes marrëveshjeve për tejkalim të krizës.