Ministrja Rizvanolli ka marrë pjesë në Takimin Ministror për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë
Vjenë, 01 qershor, 2022 – Ministrja e Ekonomisë të Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë marrë pjesë në Takimin Ministror për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, i cili është mbajtur në Vjenë.
Në takim është diskutuar për nxitjen e investimeve në energjinë e rinovueshme, përballjen me kërcënimet e vazhdueshme nga ndryshimet klimatike dhe tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër dhe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi.
Ministrja Rizvanolli është ftuar të marrë pjesë në Konferencë nga Ministrja austriake për Veprim Klimatik, Mjedis, Energji, Mobilitet, Inovacion dhe Teknologji, Leonore Gewessler.
Gjatë takimit, Ministrja Rizvnaolli ka theksuar që fokusi i Qeverisë të Republikës së Kosovës është tranzicioni energjetik me përkushtim që ky tranzicion të jetë i drejtë e i përballueshëm për qytetarët e bizneset e vendit, duke garantuar edhe siguri të furnizimit.
Tutje, Ministrja ka ndarë me të pranishmit punën që Ministria e Ekonomisë ka bërë deri më tash për hartimin e Strategjisë së Energjisë 2022 – 2031, Ligjin e Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë i cili pritet të miratohet deri në fund të vitit 2022 si dhe ankandin e parë solar të Kosovës i cili pritet të zhvillohet në vitin 2022 dhe do të përfshijë kapacitete deri në 100 MW.
Në takim kanë marrë pjesë edhe Ministrja austriake Leonore Gewessler, Drejtori Menaxhues i Agjencisë Austria për Mjedis, Georg Rebernig, përgjegjësja e Njësisë të Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, Violeta Kogalniceanu si dhe ministra të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.