Ministrja Rizvanolli ka marrë pjesë në lansimin e Qendrës për Ekselencë në Inovacion Digjital
Prizren, 02.05.2025 – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në lansimin e Qendrës për Ekselencë në Inovacion Digjital “Digital Innovation Gateway for Kosovo – DIG-4K”, në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren, e cila do të jetë qendra e parë e tillë në Kosovë dhe do të jetë pjesë e Rrjetit të Qendrave Evropiane të Inovacionit Digjital.
Në fjalën e saj, Ministrja Rizvanolli theksoi se DIG-4K do të zhvillojë kapacitetet digjitale në sektorë të ndryshëm, duke ofruar mbështetje të nevojshme kryesisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) dhe organizatat e sektorit publik dhe do të ndihmojë në përdorimin e teknologjive të avancuara digjitale, veçanërisht në fusha si tregtia elektronike (e-commerce), teknologjia financiare (fintech), shëndetësia, arsimi e bujqësia dhe po ashtu kjo qendër do të ofrojë trajnime, qasje në teknologji të avancuar, zgjidhje inovative në fushat si cloud computing, siguri kibernetike dhe intelegjencë artificiale.
“Që nga sot qendra DIG-4K u mundëson ndërmarrjeve të aplikojnë për mbështetje për zhvillimin e strategjive për transformimin digjital. Ndërmarrjet do të mund të përfitojnë qasje në laboratorë teknologjikë, mbështetje profesionale dhe zgjidhje digjitale në përputhje me nevojat e tyre”, theksoi Rizvanolli.
DIG-4K është e bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian përmes Rrjetit të Qendrave Evropiane të Inovacionit Digjital dhe Qeveria e Kosovës, Ministria e Ekonomisë.