Ministrja Rizvanolli flet Sesionin shkencor “Energjia e pastër dhe zhvillimi i qëndrueshëm”

Prishtinë, 14.10.2022 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur në Sesionin shkencor “Energjia e pastër dhe zhvillimi i qëndrueshëm”, i organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.

Sesioni shkencor “Energjia e pastër dhe zhvillimi i qëndrueshëm” është organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, fjalë hapëse kanë mbajtur edhe akademik Fejzullah Krasniqi, kryetar i Këshillit organizativ të Simpoziumit, akademik Mehmet Kraja, kryetari i ASHAK-ut dhe akademik Skender Gjinushi, kryetari i ASHSH-së.

Në fjalën e saj Ministrja Rizvanolli ka thënë se në nivel vendi energjia është një sektor kyç për garantimin e sigurisë kombëtare, kurse në nivel të kontinentit e madje edhe botës, energjia është kyçe në garantimin e balancimit të fuqive, e dobësimit të tendencave autoritare, e kjo mund të arrihet duke përdorur burimet e ripërtërishme të energjisë si motor shtysë për t’u larguar nga varësia ndaj burimeve fosile.

Rizvanolli po ashtu ka thënë se dekarbonizimi i sektorit të energjisë, përtej mbrojtjes së planetit e luftimit të ngrohjes globale, është i rëndësishëm për ndryshimin e realitetit me të cilin jemi duke u përballur çdo ditë, e i cili do të na sfidojë edhe më tej gjatë muajve të dimrit që po vjen.

Ajo tha se veprimet e menjëhershme duhet të garantojnë siguri të furnizimit me energji për qytetarët, e në të njëjtën kohë të jenë në përputhje me synimet tona strategjike. Rizvanolli shtoi se për t’u përballur me gjithë këto sfida, jemi fokusuar në një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit e të energjisë së pastër në vend.

Ministrja Rzvanolli njoftoi se e kemi filluar ndërtimin e kapaciteteve akumuluese me Programin Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Ky projekt, më i madhi në historinë e vendit tonë për sektor të energjisë ka vlerë mbi 236 milionë dollarë dhe Programi parasheh ndërtimin e kapaciteteve të baterive prej 340 MWh që mundësojnë integrimin e BRE-ve në rrjet.

Ajo po ashtu theksoi se përpos projektit të MCC-së, kemi konkretizuar dy projekte të mëdha solare, të cilat priten së shpejti të nënshkruhen, e ato janë: Ndërtimi i një parku solar me kapacitet prej 100 MW në tokat e KEK-ut dhe Ngrohja Qendrore e bazuar me energji diellore me kapacitet prej 70 MWh.

Ministra Rizvanolli deklaroi se në Strategjinë e Energjisë, të cilën presim ta aprovojmë këtë vit, kemi paraparë ndërtimin e 1400 MW kapacitete të reja prej BRE-ve deri në vitin 2031, e kjo përbën 36% të pjesëmarrjes së BRE-ve në konsumin final të energjisë elektrike.