Ministrja Rizvanolli flet në takimin B2B në Gjilan ku janë takuar 91 biznese tradicionale dhe të TIK-ut

Gjilan, 21.10.2022 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni kanë folur dhe janë takuar me përfaqësues të bizneseve në eventin biznesor ndërsektorial B2B, në kuadër të projektit “Përkrahja e BE për Konkurrueshmërinë e Sektorit Kosovar të ICT” që është mbajtur në Gjilan. Projekti ICT for Kosova’s Growth është financuar nga BE-ja në Kosovë dhe i realizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Komuna e Gjilanit.

Ministrja Rizvanolli tha se është kënaqësi të takoj dhe të shoh nga afër zhvillimin e bizneseve e poashtu të informohem më shumë rreth shërbimeve të tyre, qofshin ato tradicionale apo inovative siç është fusha e TIK-ut. Në takim kanë marrë pjesë 82 biznese tradicionale, si dhe 9 biznese të sektorit të TIK-ut.

Gjatë takimit, Ministrja është informuar nga pjesëmarrësit për sfidat dhe mundësitë rreth transformimit digjital dhe shfrytëzimit të platformave digjitale nga kompanitë tradicionale dhe shtoi se digjitalizimi i sektorëve tradicionalë është një nga fushat ku pritet më së shumti rritje të produktivitetit, ku ka shumë hapësirë në zhvillim.

Ministrja Rizvanolli para pjesëmarrësve prezantoi investimet e Ministrisë së Ekonomisë në fushën e TIK-ut dhe planet për mbështetjen e qytetit në projektin e Smart City, i cili projekt do të fillojë të implementohet në vitin 2022 dhe do të zgjasë 3 vite dhe për të cilin është paraparë një buxhet prej 550 mijë euro.