Ministrja Rizvanolli flet në Seminarin Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Prishtinë, 10.10.2022 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur në Seminarin Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të organizuar nga Kuvendi i Republikës se Kosovës në bashkëpunim me Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Ministrja Rizvanolli ka folur në sesionin e “Në mbështetje të rimëkëmbjes dhe nxitjes se rritjes se qëndrueshme: Situata ekonomike në rajon pas COVID-19”, ku ka diskutuar rreth temës “Qasja e Kosovës tek lidhja mes zhvillimit dhe sigurisë”.

Gjatë panelit, Ministrja ka prezantuar qasjen e Kosovës ndaj zhvillimit dhe sigurisë, me theks të veçantë në qasjen ndaj sektorit të energjisë, si sektor kyç për sigurinë kombëtare. Ndër të tjera, aty janë diskutuar edhe qëllimet strategjike në sektorin e energjisë dhe projektet që tanimë janë iniciuar, përfshirë këtu Solar4Kosovo për ngrohje qendrore me energji diellore në bashkëpunim me KfW, parku solar në KEK bashkë me EIB dhe KfW, kapacitetet akumuluese nga Programi Kompakt i MCC.

Tutje, Ministrja ka prezantuar rreth zhvillimit ekonomik në Kosovë si dhe mundësive që Kosova ofron si destinacion i investimeve të huaja direkte, potencialit eksportues, si dhe reformat që Qeveria është duke i ndërmarrë për të rritur konkurrueshmërinë.

Gjatë diskutimit, Ministrja gjithashtu ka prezantuar masat që Qeveria ka marrë deri tash për të mbrojtur qytetarët nga ndikimi i krizës së energjisë, siç janë subvencionimi i kursimit të energjisë përmes faturave, si dhe subvecnionimi i efiçiencës së energjisë.