Ministrja Rizvanolli flet në Konferencën “SEEnergy 2024”
Celje, 17.05.2024 – Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, me ftesë të Ministrit slloven të Mjedisit, Klimës dhe Energjisë, Bojan Kumer, ka marrë pjesë në Konferencën “SEEnergy 2024”, e cila është mbajtur në Celje të Sllovenisë.
Në konferencë janë diskutuar çështje të progresit të vendeve të Evropës Juglindore në fushën e tranzicionit të gjelbër. Gjithashtu janë paraqitur zhvillimet e fundit në teknologji dhe legjislacion, ku janë shkëmbyer përvojat dhe praktikat e shteteve në arritjen e këtyre objektivave.
Ministrja Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në panelin “Dekarbonizimi i Evropës Juglindore: T’i kthejmë sfidat në Mundësi”, ku së bashku me ministrat e Sllovenisë dhe të Malit të Zi, e përfaqësuesit e shteteve të rajonit, diskutuan për projektet e iniciativat që po ndërmarrin për thellimin e bashkëpunimit rajonal.
Gjatë konferencës, Ministrja Rizvanolli ka takuar Ministrin slloven të Mjedisit, Klimës dhe Energjisë, Bojan Kumer, me të cilin ka diskutuar mbi përvojat e dy vendeve në reforminin e sektorit të energjisë.
Për veç përfaqësuesve të qeverive të Evropës Juglindore, në konferencë kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e agjencive shtetërore, institucioneve, kompanive të energjisë dhe akterë të tjerë.