Ministrja Rizvanolli flet në Konferencën e 3-të Ndërkombëtare “FutureFrames – Intelegjenca Artificiale në Arkitekturë dhe Evolucioni Urban”

Prishtinë, 07.11.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marr pjesë në Konferencën e 3-të Ndërkombëtare “FutureFrames – Intelegjenca Artificiale në Arkitekturë dhe Evolucioni Urban”, që është mbajtur në Fakultetin e Arkitekturës së Universitetit të Prishtinës.

Qëllimi i konferencës është shkëmbimi i njohurive dhe shkathtësive mes hulumtuesve, profesorëve, studentëve dhe ekspertëve nga industria në fushat e Arkitekturës dhe evolucionit urban përmes përfshirjes së Inteligjencës Artificiale.

Përveç Ministres Rzvanolli, në Konferencë morën pjesë edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, Ministrja Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, dekanja e Fakultetit të Arkitekturës, Violeta Nushi dhe kryetrari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Në fjalën e saj, Ministrja Rizvanolli tha se digjitalizimi dhe efiçenca energjetike janë prioritete kyçe për qeverisjen dhe në përputhje me zhvillimin e politikave të digjitalizimit dhe infrastrukturës digjitale, është arritur mbulueshmëri 100% e territorit të vendit tonë me “Broadband”, një lidhje interneti me shpejtësi të lartë dhe të qëndrueshme.

Tutje, ajo vuri theksin tek zhvillimi ekonomik, duke pohuar se kemi nevojë t’i transformojmë aftësitë në zhvillimin ekonomik dhe për një shoqëri të barabartë, e për këtë duhet të kemi akses në trajnime dhe programet e duhura, me cilësi të lartë dhe të përshtatshme ndaj tregut, programe që mundësojnë ngritjen e aftësive të fuqisë punëtore.

Rizvanolli theksoi se këto janë të rëndësishme edhe për transformimin digjital, që është thelbësor për vizionin digjital të Kosovës. Ajo pohoi se Agjenda jonë Digjitale 2030, ka një vizion të qartë për të transformuar shoqërinë tonë, duke krijuar një treg të vetëm digjital më të sigurt, më të hapur, e që thekson inovacionin, rritjen e industrisë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.