Ministrja Rizvanolli flet në Forumin Ekonomik Gjermano-Kosovar
Prishtinë, 02 tetor 2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar, që ka sjellë në Kosovë rreth 100 drejtues të kompanive lidere gjermane, i organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.
Në këtë forum janë diskutuar zgjidhje për energjinë, teknologjinë dhe industrinë, si dhe përpjekjet për përforcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim.
E para e Ekonomisë potencoi se një shembull i suksesshëm i kalimit drejt energjisë së qëndrueshme është ankandi për një central energjetik fotovoltaik (PV) prej 100 MW, i cili rezultoi me një çmim 35% më të ulët se çmimi maksimal. Ku, ky është vetëm fillimi, pasi shumë shpejt do të pasojë ankandi i ardhshëm për energjinë e erës prej 150 MW, që do të avancojë më tej qëllimet tona për energjinë e ripërtëritshme, shtoi ajo.
Përveç Ministres Rizvanolli, në pjesën e parë të forumit ishin të pranishëm edhe: zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, Ambasadori Gjerman, Jorn Rohde, i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, deputeti i Bundestagut, Peter Beyer, përfaqësues nga Ministria Federale për Çështje Ekonomike dhe Veprim Klimatik (BMWK) si dhe liderë të kompanive gjermane.