Ministrja Rizvanolli flet në Forumin e Energjisë në Shkup
Shkup, 30.05.2023 – Ministrja e Ekonomisë të Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në Forumin e Energjisë – MEF 2023, që po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Në panelin e ministrave, ku mori pjesë Ministrja Rizvanolli, homologu i saj nga Maqedonia e Veriut, Kreshnik Bekteshi, përfaqësuesi Special i Qeverisë Federale Gjermane për Vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe drejtori i Komunitetit Energjetik, Artur Lorkowski u fol për politikat dhe teknologjinë drejt dekarbonizimit, rritjen e investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë dhe diskutuan mbi projektet dhe mundësitë e mëdha të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Rizvanolli theksoi se bashkëpunimi në sektorin e energjisë nuk është thjesht një fjalë e bukur e politikë-bërësve, por diçka që përmirëson drejtpërdrejt jetën e qytetarëve tanë dhe premtoi se do të vazhdojnë të intensifikojnë punën.
Ministrja Rizvanolli po ashtu foli për masat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në përballje me krizën energjetike dhe për projektet që janë duke u realizuar në fushën e energjisë, si projekti për instalimin e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike me kapacitet mbi 200 MWh i cili projekt mbështetet nga MCC, shpallja e ankandit për ndërtimin e parkut me energji solare me kapacitet prej 100 MW dhe projekti i ngrohjes solare që po realizohet në Prishtinë.
Në forum u dhanë rekomandime se si të sigurohet përfshirja më e madhe e sektorit privat dhe qytetarëve në reformat energjetike dhe të sigurohen projektet me metodologji dhe kritere të qarta përmes të cilave do të përcaktohet prioriteti i investimeve.
Forumi i Energjisë së Maqedonisë së Veriut mbahet që nga viti 2018 si një iniciativë që nxit dialog për tema të ndryshme që lidhen me energjinë, për investimet strategjike në energji në rajon dhe për të ofruar zgjidhje alternative lidhur me pozicionet gjeostrategjike energjetike.