Ministrja Rizvanolli dhe Kryeministri Kurti vizitojnë Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale

Prishtinë, 21.12.2021 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti kanë vizituar Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Gjatë takimit së bashku me kryesuesen e Bordit, Selvete Grajçevci – Pllana dhe anëtarët tjerë të bordit është diskutuar mbi rëndësinë dhe rolin e sektorit minerar në vend.

Kryeministri Kurti theksoi se, qeveria është e angazhuar për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe sektori minerar ku historikisht e ka dëshmuar se ky sektor është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministrja Rizvanolli ka cekur që përveç prodhimit të energjisë elektrike, resurset minerale që posedon Kosova janë potencial edhe për ekonominë e tregut dhe ngritjen e mirëqenies socio-ekonomike.

Në takim gjithashtu është potencuar se krahas fuqizimit dhe zhvillimit të këtij sektori nëpërmjet hartimit të kornizës adekuate ligjore, sektori minerar kërkon angazhim të mëtutjeshëm për ofrimin e kushteve të përshtatshme për investime të mundshme dhe bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e minierave.

Pjesë diskutimi ishin edhe sfidat e këtij sektori dhe nevoja për përmirësimin e teknologjisë, ngritja e kapaciteteve profesionale, hulumtime të reja për identifikimin e resurseve minerale, zhvillimi i industrisë përpunuese si dhe ngritja e sigurisë në punë.