Ministrja Pula vizitoi gratë e Krushës me rastin e Fitër Bajramit
Prishtinë, 22 shtator 2009- Me rastin e festës së Fitër Bajramit, Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka – Pula e shoqëruar nga bashkëshortja e kryeministrit, Lumnije Thaçi dhe zyrtarja për Barazi Gjinore në MEM, Fahrije Qorri – Kaloshi vizituan sot gratë e Krushës së Madhe, me ç’rast atyre ju nda nga një dhuratë modeste.
Ministrja Pula ka thënë se ka zgjedhur ditën e tretë të festës të vizitojë këtë fshat që ka pësuar shumë nga lufta për të treguar se këto gra nuk janë të harruara nga institucionet e Kosovës.
“Gratë e Krushës janë mbajtëse të familjes dhe përkushtimi i tyre është shembull për gratë e Kosovës. Ne me të gjitha mundësitë që kemi do të mundohemi t’u gjendemi pranë dhe t’u ofrojmë ndihmë sado modeste që të jetë”, tha ministrja Pula.
Me këtë rast ajo ka premtuar se MEM do të bëjë krejt çka është e mundur që grave kryefamiljare për momentin t’u ngrihet borxhi i vjetër i faturave deri në një vendim tjetër në mënyrë që ato të mund të përballojnë shpenzimet aktuale të energjisë. Ndërkaq, bashkëshortja e kryeministrit, Lumnije Thaçi tha se në Krushë të Madhe s’ka vend për shumë fjalë, por të gjithë duhet të mundohen që këtyre grave t’ua lehtësojnë jetën.
Znj. Thaçi ka premtuar se ajo personalisht do të angazhohet që t’u ndihmojë grave të Krushës duke ditur humbjet familjare që kanë pasur ato. Nga ana e tyre, aktivistet dhe gratë e Krushës së Madhe kanë falënderuar Ministren Pula dhe znj. Thaçi për vizitën e tyre në kuadër të festës duke i bërë ato të mos ndihen të harruara.
Vizita e sotme e Minitres Pula në Krushë është e dyta brenda këtij viti, pas asaj që zhvilloi me rastin e 8 marsit me ç’rast grave të këtij fshati u shpërndau dhurata.

