Ministrja Pula takoi kongresmenët amerikanë, Tim Holden dhe Christopher Carney

Uashington, 17 shtator 2010 – Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, ndodhen për një vizitë zyrtare disaditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të së cilës do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë amerikanë.

Në ditën e parë të vizitës me date 16 shtator 2010, Ministrja Pula u prit në dy takime të veçanta nga kongresmenët, Tim Holden dhe  Christopher Carney.

Në këto takime Ministrja Pula falënderoi ligjvënësit amerikanë për mbështetjen e gjithanshme të shtetit dhe popullit Amerikan për Kosovën. Me këtë rast, ministrja informoi kongresmenët edhe mbi punën e Qeverisë së Kosovës me reformat dhe ristrukturimin që po realizohen ne sektorët e energjisë dhe minierave, plotësimin qe po i behet ndërkohë bazës ligjore dhe rregullatore për këta sektorë ashtu që sa më shpejtë të mundësohen edhe investime private amerikane ne Kosovë.

Ministrja theksoi se institucionet dhe populli i Kosovës dëshirojnë te shohin edhe investitorë amerikanë të mëdhenj e serioz që të investojnë në sektorët e energjisë dhe minierave në Kosovë, për çka janë mundësitë por kërkohet edhe një promovim më i mirë për investime private.

Ministrja i njoftoi dy kongresmenët se me mbështetjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi po përgatitet një konferencë për të promovuar potencialet e Kosovës për të tërhequr investime amerikane, konferencë kjo që do të mbahet në fund të muajit tetor 2010 në Nju Jork.

Kongresmenët amerikanë nga ana tyre vlerësuan parashtresën e Ministres dhe premtuan që nëpërmjet institucioneve relevante amerikane, përfshirë edhe Departamentin e Shtetit, do të kërkojnë një mbështetje akoma më të madhe dhe nxitje më të mire të investitorëve amerikanë drejt Kosovës.

Gjate ditëve ne vijim Ministrja Pula do të takohet edhe me grupe të interesuara për sektorët e energjisë dhe minierave të Kosovës. Me këtë rast do te prezantohen politikat e Qeverisë Thaçi për ristrukturimin e plotë të sektorëve të energjisë dhe minierave dhe përgatitjet që po bëhen për të tërhequr investime të konsiderueshme private sa me shpejt.