Ministrja Pula prezanton mundësitë e investimeve në energjetikën e Kosovës

Prishtinë, 28 tetor 2010- Në kuadër të Forumit për Tregti dhe Investime SHBA –Kosovë që po mbahet në Nju Jork, Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula ka zhvilluar takime me zyrtarë dhe investitorë amerikanë, ndërsa në sesionin për energjinë dhe minierave ka prezantuar mundësitë për investime në këtë sektor.

Në këtë Forum përveç delegacionit qeveritar nga Kosova pjesë e të cili është edhe ministrja Pula, të pranishëm ishin edhe  ambasadorja e SHBA-së në OKB, Rosemary A. DiCarlo, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, Christofer Hall, Ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu dhe më se 200 investitorë amerikanë.

Ministrja Pula me këtë rast ka prezantuar potencialet e Kosovës për investime në sektorin e energjisë dhe minierave duke theksuar se vendi ka infrastrukturën e nevojshme ligjore dhe rregullator dhe mirëpret investitorët e jashtëm.

Duke u ndalë te sektori i energjisë, ministrja Pula tha se të gjitha orientimet politike të Kosovës në fushën e energjetikës kanë për qëllim, sigurinë e furnizimit me energji, rritjen e efiçencës së energjisë, zhvillimi i energjisë së ripërtërishme, futja e teknologjive ekologjikisht miqësore dhe mbrojtjen e mjedisit dhe integrimi në sistemin energjetik të BE-së.

Ministrja ka theksuar projektet konkrete në të cilat mund të përfshihen investitorët privatë janë Termocentrali me djegie linjiti “Kosova e Re”, përfshirë rehabilitimin e TC Kosova B; privatizimi i Shpërndarjes dhe Furnizimit të KEK sh.a. zhvillimi i rrjetit të transmisionit të energjisë dhe ndërtimi i Hidrocentralit (HC) “Zhur”.

Gjithashtu ministrja Pula ka thënë se mundësi tjera për investime janë edhe ndërtimi i HC-ve të vogla, zhvillimi i burimeve të ripërtërishme të energjisë (era, biomasa, etj), zhvillimi i kombinuar i ngrohjes dhe energjisë për furnizimit me ngrohje qendrore të qytetit të Prishtinës.

Pas përfundimit të prezantimeve, investitorët potencialë kanë bënë pyetje panelit të sektorit të energjisë dhe minierave, pjesë e të cilit ishte ministrja Pula dhe drejtuesit e kompanive të kësaj fushe në Kosovë, si KEK, KOSTT, Trepça, të cilët u kanë dhënë përgjigje adekuate.

Duhet theksuar se interesimi i investitorëve për të investuar në këto fusha në Kosovë  ishte i madh dhe ata u ndanë të kënaqur me informacionet e nevojshme të prezantuar nga delegacioni i Kosovës.