Ministrja Pula po merr pjesë në Kongresin e Dytë Ndërkombëtar për Miniera në Gjermani

Prishtinë, 1 shtator 2010 – Një delegacion nga Kosova i kryesuar nga Ministrja e Energjisë dhe Minierave,Justina Shiroka- Pula në përbërje të të cilit janë edhe Zv.ministri i MMPH, Idriz Vehapi, drejtori menaxhues i Kompleksit Trepça dhe drejtori u Agjencisë për Mjedis, Ilir Morina, po merr pjesë në Kongresin e Dytë Ndërkombëtar për Miniera dhe Sanim Mjedisor i sponsorizuar nga qeveria gjermane që po mbahet në Qendrën e Kongreseve në Dresden të Gjermanisë.

Në këtë Kongres ndërkombëtar marrin pjesë përfaqësues të qeverise gjermane, përfaqësues të qeverive dhe institucioneve dhe agjencioneve publike që përkujdesen për mjedisin nëpërmjet sanimit të pasojave të veprimeve minerare, veçanërisht rikultivimin e minierave sipërfaqësore të linjitit nga shtete të ndryshme nga të gjitha kontinentet.

Sot delegacioni i Kosovës u takua me përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mjedisit, Mbrojtjes së Natyrës dhe Sigurisë Nukleare. Tema e takimit ishte përgatitja e një bashkëpunimi të rëndësishëm Gjermani-Kosovë për adaptimin e modelit gjerman për sanimin e çështjeve mjedisore në sektorin e energjisë dhe minierave.

Pala gjermane u tregua e gatshme të mbështesë Kosovën, fillimisht nëpërmjet Agjencionit publik LMBV që është institucioni më i rëndësishëm gjerman i specializuar në sanimin e çështjeve mjedisore.

MEM dhe MMPH do të bashkëpunojnë me LMBV për të dizajnuar proceset dhe institucionet e nevojshme që janë të domosdoshme për ta kryer në të ardhmen sanimin e plotë të çështjeve mjedisore në sektorin e minierave, proces ky i kushtueshëm por që mund të financohet nga institucionet dhe vendet mike, si Komisioni Evropian dhe Gjermania.

Ndryshe, Gjermania, që ishte një nga vendet prodhuese të mëdha të linjitit, gjatë njëzet viteve të fundit ka dekomisionuar një numër të madh të termocentraleve te vjetra me linjit. Ajo ka mbyllë minierat përkatëse dhe ka sanuar plotësisht rreth 30 miniera sipërfaqësore të linjitit, të cilat në të kaluarën kanë prodhuar rreth 300 milionë tonë linjit të energjisë në vit, proces që ka kushtuar disa miliardë euro.