Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos

 

Davos, 24.01.2026 – Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku Kosova është një nga 25 vendet në botë që përfaqësohet me shtëpinë e saj.

Gjatë qëndrimit në Davos, Ministrja Rizvanolli ka zhvilluar një sërë takimesh me partnerë ndërkombëtarë, me fokus në avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe institucional. Në këtë kuadër, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja Artane Rizvanolli kanë zhvilluar takim me Ministrin e Ekonomisë dhe Industrisë të Estonisë, Erik Keldo ku është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit në fushën e digjitalizimit, minierave e të ngjashme.

Po ashtu, Ministrja Rizvanolli ka zhvilluar diskutime me Drejtorin e EIB-së, Andrew McDowell lidhur me projektet e ngrohjes qendrore në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, të cilat synojnë zbatimin e iniciativave konkrete, në përputhje me prioritetet e zhvillimit gjithëpërfshirës.

Në kuadër të agjendës së Forumit, Ministrja e Ekonomisë ka marrë pjesë edhe në panelin e energjisë, “Mbështetja e Rritjes në mënyrë të Përgjegjshme: Siguria Energjetike dhe Rrugët e Tranzicionit” në Shtëpinë e Kosovës në Davos.

Përveç Ministres Rizvanolli, në panel morën pjesë përfaqësues të institucioneve evropiane dhe financiare, si: Artur Lorkowskin, Drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Andrew McDowell, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Evropiane të Investimeve, si dhe Erez Vigodman, bashkëthemelues i Terra-A dhe lider biznesi. Paneli u moderua nga Dr. Shane Szarkowski, Kryeredaktor i “Diplomatic Courier”.

Aty janë diskutuar mundësitë për diversifikimin e burimeve të energjisë në Kosovë, me qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit dhe për të ruajtur përballueshmërinë e çmimeve, si pjesë e politikave afatgjata të sektorit energjetik.

Ministrja Rizvanolli theksoi se zhvillimet e viteve të fundit kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si shtetet e trajtojnë energjinë, duke theksuar se siguria energjetike dhe pavarësia energjetike janë sot të pandashme nga siguria kombëtare.

Përveç takimeve zyrtare, Ministrja Rizvanolli ka realizuar edhe takime me përfaqësues të diasporës, ku është theksuar rëndësia e ndërtimit dhe forcimit të lidhjeve, falënderimi për kontributin e vazhdueshëm të diasporës, si dhe identifikimi i mundësive për bashkëpunim të mëtejmë në të ardhmen.