Ministrja Artane Rizvanolli takoi zëvendës ambasadorin britanik, Jacob Webber

 

Prishtinë, 01.04.2021 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka pritur në takim zëvendës ambasadorin e Britanisë në Kosovë, Jacob Webber, drejtorin e Departamentit për Tregti Ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor, Nikola Stojanoski dhe udhëheqësen e programeve në Ambasadën britanike në Kosovë, Mimoza Goajni.

 

Zëvendës ambasadori Webber uroi ministren Rizvanolli për marrjen e detyrës së re dhe e falënderoi ministren për mirëpritjen.

 

Në takim u bisedua rreth prioriteteve ekonomike të Qeverisë dhe potencialit të bashkëpunimit në këtë fushë.

 

Ministrja Rizvanolli e falënderoi Ambasadën britanike për përkrahjen e ofruar gjatë viteve të fundit në përmirësimin e cilësisë dhe transparencës së proceseve të rekrutimit të zyrtarëve të lartë publikë, ndërsa zëvendës ambasadori Webber u zotua se Britania do të ofrojë përkrahjen e saj të vazhdueshme dhe synon të mbështesë Qeverinë e re përball sfidave në të cilat gjendet vendi.

 

Të dy palët shprehen gatishmërinë e tyre për bashkëpunim në fushat e ekonomisë të cilat do të kontribuojnë drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, me theks veçantë në fushat e energjisë, përmirësimin e funksionimit dhe monitorimit të ndërmarrjeve publike dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar në mes të dy vendeve.