Ministrja Artane Rizvanolli ka pritur në takim zv. ambasadorin britanik, Jacob Webber

Prishtinë, 05.11.2021 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka pritur sot në takim zv. ambasadorin e Britanisë në Kosovë, Jacob Webber.

Gjatë takimit, ministrja e Ekonomisë dhe zv. ambasadori kanë diskutuar për çështjen e energjisë, veçanërisht rreth hartimit të Strategjisë së Energjisë nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ministrja Rizvanolli ka theksuar se duke marrë parasysh ngrohjen globale dhe ndikimet në ambient, qëllimi kryesor i Strategjisë së Energjisë është të garantojë sigurinë e furnizimit me energji dhe në të njëjtën kohë të jetë e përballueshme për konsumatorët.

Gjatë takimit, zv. ambasadori britanik ka shprehur gatishmërinë e Ambasadës për të ndihmuar Ministrinë e Ekonomisë dhe Qeverinë e Kosovës në procesin e Strategjisë dhe fushat në të cilat ka hapësirë kontributi.

Po ashtu, zv. ambasadori dhe ministrja kanë diskutuar rreth nevojës për kursim të energjisë elektrike karshi krizës energjetike që ka përfshirë të gjithë Evropën, edhe pse kjo krizë jodomosdo e prekë Kosovën, por mund të ndikojë në mënyrë indirekte për shkak të importit.

Në përfundim të takimit, zv. ambasadori potencoi se Ambasada dhe Qeveria britanike janë të lumtur për bashkëpunimin që kanë me shtetin e Kosovës dhe duke marrë parasysh rëndësinë e procesit të Strategjisë, shfaqin përkrahje të rritur për Kosovën.