Ministria e Zhvillimit Ekonomik financon shtrirjen e infrastrukturës dixhitale në zona të thella të Kosovës

 

Prishtinë, 18.02.2020 – Ministria e Zhvillimit Ekonomik gjegjësisht Projektit për Ekonominë Dixhitale të Kosovës (KODE) përmes granteve mbështetëse, gjatë vitit 2019 ka financuar shtrirjen e rrjetit fiks brezgjerë, respektivisht të fiber optik në zona të thella të Kosovës, duke ju mundësuar banorëve të këtyre zonave qasjen në shërbimet e internetit dhe të përmbajtjeve televizive.

 

Kjo si rrjedhojë e punës së madhe që është bërë nga profesionistë të angazhuar në Projektin KODE dhe në bashkëpunim të ngushtë me zyrtarët e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

 

Zonat e përfshira në projekt janë të shtrira gjithandej Kosovës dhe sipas të dhënave të Agjencionit të Statistikave të Kosovës, në këto zona jetojnë një numër i konsiderueshëm i banorëve, më shumë se 19.000 banorë apo rreth 2.820 familje.

 

Numri i fshatrave të cilat kanë përfituar mbulueshmëri me infrastrukturë brezgjerë është 85, ndërsa komunat e përfshira janë 16: Gjilani, Kamenica, Vitia, Novobërda, Mitrovica, Leposaviqi, Vushtrria Peja, Istogu, Klina, Gjakova, Prizreni, Suhareka, Prishtina, Podujeva dhe Lipjani.

 

Vlen të theksohet se 65 institucione publike, përfshirë këtu shkolla dhe qendra të mjekësisë familjare të cilat gjinden brenda zonave të mbuluara, do të kenë qasje në internet brezgjerë, të shpejtësisë së lartë për pesë vite falas.