Ministria e Ekonomisë transformon arsimin me digjitalizim dhe infrastrukturë moderne telekomunikuese
Prishtinë, 04.11.2024 – Ministria e Ekonomisë (ME) përmes Projektit për Ekonominë Digjitale të Kosovës (KODE), po bën një hap të madh përpara në digjitalizimin e plotë të sistemit arsimor dhe modernizimin e infrastrukturës në shkolla. Ky projekt sjell qasje të qëndrueshme dhe të sigurt në internet për më shumë se 200 shkolla fillore dhe të mesme në të gjithë vendin, duke ofruar internet falas për 5 vitet e ardhshme.
Zgjidhje për një rrjet më të shpejtë dhe të sigurt: shkollat e përfshira më parë përballeshin me mungesë të internetit të qëndrueshëm ose me rrjet ad-hoc, që kufizonin përfshirjen digjitale dhe mundësitë për mësim të avancuar. Tani, falë rrjetit të përmirësuar dhe teknologjisë Wi-Fi 6 të lidhur me KREN, çdo klasë dhe hapësirë shkollore është e mbuluar nga një rrjet i shpejtë dhe i sigurt.
Një infrastrukturë e re për arsim të avancuar: ky investim kontribuon në ngritjen e nivelit të arsimit në Kosovë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, duke e çuar përpara arsimin dhe mundësitë e hulumtimit në vend. Rrjeti i ri lehtëson inovacionin në mësimdhënie dhe krijon një mjedis të mbikëqyrur dhe të filtruar për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Mjedis i sigurt për nxënësit: një nga prioritetet kryesore të projektit është filtrimi i përmbajtjeve të papërshtatshme dhe limitimi i qasjes në aplikacione që nuk shërbejnë për edukim, kjo për të garantuar një ambient të sigurt dhe të dedikuar për nxënësit dhe mësimdhënësit. Ky rrjet i mbikëqyrur nga ekspertët e Qendrës KREN në ITP Prizren siguron një mjedis arsimor që përqendrohet vetëm në përmbajtje të dobishme dhe edukative.
Ky investim ndihmon në zhvillimin e shkathtësive digjitale të nxënësve, mësimdhënësve dhe gjithë stafit të shkollës si dhe mundëson qasjen në burime të reja të ligjërimit dhe mësimnxënies.