Ministria e Ekonomisë organizon sesion informues për thirrjen publike për mbështetje financiare për OJQ-të

Prishtinë, 15.09.2025 – Ministria e Ekonomisë ka organizuar sesionin informues lidhur me thirrjen publike “Mbështetje financiare për OJQ-të për përkrahjen e aktiviteteve që promovojnë fushën e energjisë dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit”, ku mori pjesë edhe Ministrja Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli.

Ministria e Ekonomisë ka hapur këtë thirrje publike për OJQ-të e regjistruara në Republikën e Kosovës, të cilat veprojnë në fushën e energjisë dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, duke i ftuar ato të aplikojnë për mbështetje financiare për projekte që synojnë:

  • Efiçiencë të Energjisë dhe Burime të Ripërtëritshme të Energjisë (EE & BRE);
  • Zhvillimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK).

Në takim morën pjesë përfaqësues të organizatave joqeveritare që fokusin e punës e kanë në këto fusha, të cilët u njoftuan më gjerësisht për procedurat e aplikimit.

Me këtë rast, Ministrja Rizvanolli i inkurajoi organizatat që të aplikojnë në thirrje, në mënyrë që të kontribuojnë në dy fusha strategjike për Kosovën: energjinë dhe teknologjinë e informacionit.

Ky financim përfaqëson një mundësi për fuqizimin e OJQ-ve si partnerë aktivë në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë dhe teknologjisë në vend, ku projektet e tyre mund të ndikojnë në rritjen e ndërgjegjësimit, edukimin e komuniteteve dhe nxitjen e zgjidhjeve inovative, duke sjellë përfitime për qytetarët dhe mjedisin.

Thirrja mbetet e hapur deri më 19 shtator 2025.