Ministria e Ekonomisë ndërmerr aksion simbolik në Ditën e Tokës
Prishtinë, 22.04.2025 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Ministria e Ekonomisë ka organizuar sot një aksion simbolik për mbjelljen e luleve përpara objektit të saj zyrtar. Aktiviteti u zhvillua në shenjë përkushtimi ndaj ruajtjes së mjedisit dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik për kujdesin ndaj natyrës.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për një ambient më të pastër, si dhe rolin udhëheqës të institucioneve publike në promovimin e praktikave të qëndrueshme. Ajo theksoi se efikasiteti energjetik është një komponent kyç për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.
Ministria e Ekonomisë, përmes kësaj nisme, rikujton rëndësinë e përdorimit efikas të energjisë, si një mënyrë konkrete për të zvogëluar ndotjen dhe për të mbrojtur burimet natyrore.
Përmirësimi i efikasitetit energjetik kontribuon në uljen e konsumit dhe në mbrojtjen afatgjatë të ambientit.
Energjia e gjelbër, burimet e ripërtëritshme, dhe politikat e qëndrueshme energjetike janë kyçe për vizionin e Ministrisë së Ekonomisë, për të ndërtuar një të ardhme të pastër, të qëndrueshme dhe më efikase.
Ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe bizneseve që të bëhen pjesë e këtyre përpjekjeve, përmes praktikave të qëndrueshme dhe kursimit të energjisë, duke dhënë kontribut konkret në mbrojtjen e planetit tonë të përbashkët.