Ministria e Ekonomisë mban punëtori intensive me MCC-në për dizajn të programit të kompaktit

 

Prishtinë, 20.09.2021 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë muajve të fundit ka mbajtur disa takime të nivelit të lartë me përfaqësues të MCC-së (Millennium Challenge Corporation), duke përfshirë Alexia Latortue, Zv. drejtoreshë Ekzekutive të MCC-së, Caroline T. Nguyen, Drejtoreshë Menaxhuese për Evropë dhe Sarah Olmstead, Drejtoreshë e MCC-së për Kosovë, ku kanë diskutuar rreth dizajnit të programit të kompaktit dhe mbështetjes që ky program mund t’i ofrojë sektorit tonë të energjisë.

 

Ministrja Rizvanolli pas këtyre takimeve, gjatë javës së kaluar së bashku me përfaqësues të kabinetit, Departamentit të Energjisë të ME-së, të ZRRE-së dhe ekipit teknik të MCC-së në Uashington dhe Kosovë, kanë pasur një seri të e-punëtorive intensive për të diskutuar detajisht dhe vendosur rreth dizajnimit të programit kompakt.

 

Gjatë punëtorisë temë diskutimi ishin problemet dhe nevojat kryesore të sektorit të energjisë në Kosovë, duke përfshirë këtu koston e energjisë për konsumatorin, sigurinë e furnizimit të energjisë, fleksibilitetin në rrjet si dhe diversifikimin e burimeve të energjisë në Kosovë.

 

Tutje, është diskutuar rreth fushave potenciale të bashkëpunimit mes Ministrisë së Ekonomisë dhe MCC-së për të përkrahur sektorin e energjisë përmes projekteve të identifikuara bashkërisht. Këto fusha përfshijnë investimin potencial në infrastrukturë të gazit natyror, uljen e humbjeve teknike përmes investimeve në rrjet të shpërndarjes dhe të transmisionit, investimeve në kapacitete akumuluese, si dhe zhvillim të shkathtësive të fuqisë punëtore në këtë sektor. Promovimi i barazisë gjinore në sektor të energjisë dhe fuqizimi ekonomik i grave në këtë sektor do të jenë pjesë e domosdoshme e secilit bashkëpunim në këtë fushë.

 

Po ashtu, ministrja Rizvanolli ka shprehur falënderimin e saj për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së dhe SHBA-së në fushën e energjisë.

 

“Unë jam shumë falënderuese për angazhimin e pareshtur të ekipit të MCC-së dhe mbështetjen e vazhdueshme nga ana e MCC-së dhe në përgjithësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushë të energjisë për bashkëpunimin tonë të ngushtë për të zhvilluar këtë sektor”, tha Ministrja Rizvanolli.