Ministria e Ekonomisë diskuton mundësitë e investimeve me ndërmarrësit nga Gjeneva

Prishtinë, 26.06.2025 – Zëvendësministri i Ekonomisë, z. Getoar Mjeku, mirëpriti sot një delegacion nga Oda e Tregtisë, Industrisë dhe Shërbimeve të Gjenevës (CCIG), i përbërë nga 20 ndërmarrës dhe përfaqësues politikë zviceranë, të cilët po eksplorojnë mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe investime në Kosovë.

Delegacioni udhëhiqej nga z. Vincent Subilia, drejtor i Odës dhe deputet në Kantonin e Gjenevës, dhe znj. Ana Roch, kryetare e parlamentit të Gjenevës, të cilët shprehën gatishmërinë për të ndërtuar partneritet afatgjate. Delegacioni përfshinte ndërmarrës të fushave të energjisë, financave e ndërtimtarisë, avokatë e arkitektë të suksesshëm, si dhe përfaqësues të mërgatës shqiptare, ndër ta z. Sami Gashi, deputet në parlamentin e Gjenevës dhe përgjegjës për marrëdhëniet me Kosovën.

Zëvendësministri Mjeku foli për arritjet e Qeverisë në rrafshin ekonomik dhe angazhimin e ministrisë në sektorët që mbulon, duke theksuar sektorët e energjisë, minierave dhe TIK-ut. Ai çmoi përkrahjen që Zvicra ka dhënë për Republikën e Kosovës, vlerësoi lartë rolin e mërgatës kosovare dhe shprehu vullnetin për të forcuar lidhjet ekonomike me Gjenevën.

Ndërmarrësit zviceranë shprehën dëshirën për të investuar në fusha konkrete, duke e parë Kosovën si një vend premtues me potencial të jashtëzakonshëm.

Delegacioni do të vazhdojë vizitat në institucione në Kosovë, duke hapur rrugë për bashkëpunime konkrete dhe projekte të përbashkëta në të ardhmen.