Ministria e Ekonomisë dhe ARKEP-i mbajen takimin për Draft-axhenda Dixhitale 2030

Prishtinë, 26.01.2022 – Ministria Ekonomisë (ME) dhe Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), sot kanë mbajtur takimin për Draft-axhenda Dixhitale 2030.

Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me palët tjera të interesit ka bërë hartimin e Draft-axhendës së re Dixhitale të Kosovës 2030 dhe të Planit të Veprimit, që pritet të miratohet gjatë këtij viti nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Zëvendësministri i ME-së, Mentor Arifaj, i cili mori pjesë në takim, tha se Draft-axhenda Dixhitale e Kosovës 2030, është strategji qeveritare ndër-sektoriale që përcakton politikën dhe prioritetet e veçanta të Kosovës në kontekstin e transformimit të vazhdueshëm dixhital të ekonomisë dhe shoqërisë, të ndikuar nga teknologjitë inovative dhe trendet dixhitale botërore.
Arifaj tregoi se periudha kohore që e përfshin kjo draft-axhendë do të jetë nga viti 2022 deri në vitin 2030 dhe plani i veprimit që do të mbulojë një periudhë prej së paku 3 vjet me mundësi të rishikimit.

Draft-axhenda 2030 ka pesë objektiva strategjike:

–    Infrastruktura dixhitale e avancuar dhe e sigurtë (përfshirë teknologjitë mobile 5G; teknologjitë fikse me shpejtësi gigabit, ‘block-chain’, IoT, Inteligjencën Artificiale etj.),
–    Transformimi Dixhital i bizneseve;
–    Dixhitalizimi i shërbimeve publike;
–    Banorë me aftësi dixhitale dhe ekosistem inovativ për hulumtim dhe zhvillim;
–    Forcimi i ekosistemit të sigurisë kibernetike.
 
Draft-axhenda Dixhitale 2030 është hartuar duke marrë për bazë përvojën nga zbatimi i Axhendës Dixhitale 2013-2020, zhvillimet e tregut të komunikimeve elektronike dhe është në përputhje me dokumentet strategjike të Bashkimit Evropian, si: Strategjia për shoqërinë “gigabit”, Plani i veprimit 5G dhe siguria kibernetike në rrjetet 5G, Green Deal, Dekada Dixhitale e Evropës, dhe dokumentet tjera relevante.