Ministria e Ekonomisë dërgon komentet për Raportet Konsultative të ZRrE-së

Prishtinë, 02.02.2022 – Ministria e Ekonomisë ka dërguar komentet për “Raportin Konsultativ: Shqyrtimi i Strukturës Tarifore për Konsumatorët e Rregulluar të Amvisërisë të shërbyer nën FSHU” dhe “Raportin Konsultativ: Shqyrtimi i Jashtëzakonshëm i të Hyrave të Lejuara Maksimale të Energjisë Elektrike për Operatorët e Rregulluar” të publikuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 17 janar 2022.

Duke marrë parasysh dallimin e madh të çmimeve sipas blloqeve të propozuara (deri në 600 kWh dhe mbi 600 kWh), si dhe mungesën e një studimi shumëdimensional që do të informonte përcaktimin e pragut, Ministria e Ekonomisë  ka propozuar dy alternativa për ZRrE-në.

Alternativat e propozuara nga ME janë:
1.    Zgjerimi i brezit tarifor, përkatësisht ndryshimin e pragut të bllokut nga 600 kWh në 800 kWh, duke pasur në konsideratë efektivitetin e këtij mekanizimi në kushtet e mungesës së alternativave tjera të sigurimit të energjisë elektrike për nevoja të ngrohjes nga një pjesë e konsumatorëve; ose
2.    Shtimin e numrit të blloqeve tarifore, që do të mundësonte përshkallëzimin e tarifave nëpër blloqe dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1000 kWh.

Më tej, ME ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRRE), që si autoritet i pavarur që në mandatin e tij ka mbrojtjen e konsumatorit, të sigurohet që gjatë shqyrtimit tarifor të shmangë ndërsubvencionimin dhe diskriminimin në mes të kategorive të konsumatorëve.

Ndër të tjera, Ministria e Ekonomisë ka propozuar që ZRrE të bëjë ri-vlerësim të elementeve të përllogaritjeve të të hyrave të lejuara, si çmimet e importit dhe marzha e fitimit të furnizuesit, poashtu rishikim të hapësirës për t’i reduktuar ato në mënyrë që kjo të reflektohet në ulje të tarifave për konsumatorët.

Komentet e plota të Ministrisë së Ekonomisë: https://www.ero-ks.org/zrre/sites/default/files/Publikimet/Pjesemarresit%20ne%20Treg/Furnizim/Komentet%20e%20ME_Raporti%20Konsultativ_Shqyrtimi%20i%20Struktur%C3%ABs%20Tarifore_30%201%202….pdf