Ministri Lluka viziton qytetin e Gjilanit dhe Kamenicës

Prishtinë, 14.11.2018 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka së bashku me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, kanë vizituar qytetin e Gjilanit dhe Kamenicës për të shikuar nga afër projektet zhvillimore që janë financuar në vitin 2018 si dhe për t’i diskutuar projektet e ardhshme për këtë rajon.

Ministri Lluka dhe Matoshi, vizitën e filluan në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava”, e cila mbulon tërë rajonin e Gjilanit, ku u informuan nga Kryeshefi Muhamet Suliqi rreth sfidave që ballafaqohet kjo ndërmarrje.

Gjatë vizitës në digën e Përlepnicës, Ministri Lluka tha se Ministria që ai drejton ka ndihmuar projektin e digës së Përlepnicës me vlerë prej 400,000 EUR.

Më pas, ata vizituan qytetin e Gjilanit ku u mirëpritën nga kryetari i saj Lutfi Haizri i cili i shoqëroi në pjesën e qytetit ku po ndërtohet shëtitorja me gjatësi prej 3.4 km, ku edhe diskutuan rreth bashkëpunimit të mëtutjeshëm në të ardhmen.

Vizita përfundoi në Kamenicë, ku së bashku me kryetarin, Qëndron Kastrati, vizituan projektin e Shtëpisë së Kulturës “Isa Kastrati”, projekt i cili është përzgjedhur nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që të renovohet dhe të bëhet efiçient.