Ministri Lluka viziton Mitrovicën, u jep mbështetje projekteve në këtë komunë

Prishtinë, 28.12.2017 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka qëndruar në Mitrovicë, ku zhvilloi takime të ndara me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, menaxhmetin e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Mitrovica” dhe Sindikatën dhe menaxhmentin e Trepçës.

Ministri Lluka gjatë takimit me kryetarin Agim Bahtiri ka uruar atë për mandatin e dytë, duke shprehur bindjen se do të bëjë punë të mire, ndërsa kanë diskutuar për projektet e ardhshme në këtë komunë.

Ndërkaq, gjatë vizitës ne KRU Mitrovica, ku u prit nga drejtori Sami Miftari, nga i cili u njoftua për gjendjen në ujësjellës. “E njoftova për subvencionet e ndara në mbledhjen e Qeverise dje në vlerë prej 810,000 EUR për të mbuluar humbjet e Veriut si dhe kërkova performancë më të mirë të kompanisë”, tha Lluka pas takimit.

Ndryshe në takim me Sindikatën dhe menaxhmentin e Trepçës, kreu i MZHE-së është interesuar për progresin në implementimin e planit për rregullimin e kushteve të punëtorëve dhe me këtë rast i ka njoftuar ata që Bordi Mbikëqyrës i Trepçës do të formohet së shpejti pasi që ka përfunduar afati i konkursit ku kanë aplikuar 140 persona.