Ministri Lluka konfirmon se nuk do te ketë kolaps energjetik

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka qëndruar sot në fshatin Shipitullë prej nga ka konfirmuar nisjen e punës së ekskavatorëve të KEK-ut, për të nxjerrë thëngjill në këtë fshat, i cili do të siguron furnizimin me energji elektrike të vendit.

Ministri Lluka me këtë rast tha se deri tani ka pasur humbje enorme për shkak të neglizhencës “Siç e shihni ekskavatori prapa nesh, ka 16 muaj që nuk ka qenë funksional. Kostoja ditore e këtij ekskavatori është diku rreth 1 milion euro, prandaj edhe mund ta merrni me mend se sa të mëdha kanë qenë humbjet me muaj të tërë për shkak të neglizhencës së një qeverie, e cila nuk ka dashur t’i jap prioritet fushës së energjisë. Si pasojë e kësaj tash kemi ardhur në një situatë kur edhe ishim para kolapsit energjetikë, në një situatë ku përmenden shifra të rritjes së çmimit të energjisë mbi 18 %. Pra, nisja e nxjerrjes së thëngjillit në këtë zonë është një arritje jashtëzakonisht e madhe drejt sigurimit të furnizimit të brendshëm energjetik”, ka thënë kreu i MZHE-së.

Ndryshe, me nisjen e punës së nxjerrjes së thëngjillit në këtë zonë po përmbyllet një nga çështjet më të mëdha të furnizimit me energji elektrike. Procesi i shpronësimit në Hade dhe Shipitullë sot ka marrë fund, meqenëse banorët e fundit të këtyre fshatrave kanë nënshkruar kontratë me Korporatën Energjetike të Kosovës.