Ministri Kuçi merr pjesë në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, nënshkruan dy memorandume

Prishtinë, 02.11.2020Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka përfaqësuar
Kosovën në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, që këtë vit u mbajt në
Tiranë, nisëm e cila realizohet në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Planit
Shumëvjeçar të Veprimit të Zonës Rajonale Ekonomike.

Samiti u hap nga komisionarët e Bashkimit Evropianë, Thierry
Bretton dhe Mariya Gabriel, Sekretarja Gjenerale e RCC-së, Majlinda Bregu dhe
kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Në këtë samit përveç fjalimeve të ministrave, janë
nënshkruar edhe dy memorandume mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

1.      Memorandum i Mirëkuptimit për Udhërrëfyesin e 5G
për Transformimin Digjital në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.

2.      Memorandum i Mirëkuptimit për
Interoperabilitetin dhe Shërbimet e Besimit Rajonal në  Rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ministri Blerim Kuçi mbajti fjalën e tij në këtë samit, duke
potencuar punët që po bën Qeveria e Kosovës për të qëndruar në hap me botën
teknologjike në aspektin e infrastrukturën dhe hapësirës së krijuar nga
institucionet.

“Ne e mbështesim Agjendën Digjitale për Ballkanin Perëndimor
dhe duke shfrytëzuar momentin e imponuar nga kriza e covid-19, mendojmë që
bashkërisht mund të gjejmë zgjidhje që nëpërmjet TIK-ut të tejkalohen elementet
e caktuara të krizës që njëkohësisht do të kenë ndikim në transformimin digjital”,
tha ndër të tjera ministri Kuçi.

Ajo që Kosova realisht ka arritur në këtë sektor dhe që
ministri Kuçi i prezantoi para homologëve rajonal dhe komisionerëve evropianë janë:
mbulimi deri në fund të vitit 2020 të të gjitha zonave të bardha me fibër
optik, krijimin e Zyrës së Kompetencës për Broadband, Rrjetin Nacional për
Hulumtim dhe Edukim që do të integrohet në rrjetin Pan-Evropian GÉANT, Atllasin
elektronik brezgjerë për infrastrukturën, shërbimet dhe investimet në rrjetet e
komunikimeve elektronike, avancim në 5G dhe memorandumet e nënshkruara për
autostradën 5G, krijimin e Parkut të Teknologjisë Digjitale në Prishtinë dhe
Qendrën e Ekselencës Digjitale në Prizren.

Në margjina të takimit, ministri Kuçi shfrytëzoi rastin të
takohet edhe me delegacionet e vendeve fqinje, duke folur për bashkëpunimet
bilaterale dhe shkëmbimin e përvojave të mira.