Ministri Kuçi mbledh grupin operacional që Pavarësimi Energjetik i Kosovës të jetë i suksesshëm

 

Prishtinë, 14.12.2020 – Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi sot ka mbledhur në një takim të përbashkët të gjithë akterët vendorë të energjisë elektrike, si grup operacional i përbërë nga MEA, Zyra e Kryeministrit, KEK-u, ZRRE-ja, KOSTT-i, KEDS-i dhe KesCo.

 

Motiv i këtij takimi ishte mobilizimi i përbashkët për furnizim të sigurtë me energji elektrike. Nga sot, më 14 dhjetor 2020, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës operon si i pavarur dhe si zonë e përbashkët rregulluese me Shqipërisë.

 

Përveç përgëzimit të të gjithë akterëve për këtë arritje, ministri Kuçi potencoi se faza testuese deri më 31 dhjetor duhet të ketë fokusin e plotë dhe ju kërkoi akterëve përkushtim maksimal përgjatë kësaj periudhe.

 

“Kjo pavarësi energjetike është një arritje shumë e lartë dhe na bën tepër krenarë. Mirëpo, duhet të dijmë që kemi edhe obligime, prandaj duhet të evitohen gabimet e mundshme në proces.

 

Duhet të jemi gjithashtu vigjilentë, marrë parasysh obstruksionet që po ballafaqohemi nga operatori i rrjetit të transimisionit të Serbisë. Kosova ka komunikuar me disa nga shtetet fqinje, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit në këtë fazë testuese”, ka thënë Kuçi, duke shtuar gjithashtu se mbështetja ndërkombëtare ka qenë shumë e rëndësishme në këto momente.

 

“Një falemnderim i veçantë drejt Komisionit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në veçanti shtetit gjerman, për ndihmën e vazhdueshme në këtë proces”, tha ai.

 

Në paraditën e sotme, ministri Blerim Kuçi bashkë me kryeministrin Avdullah Hoti kanë vizituar KOSTT-in, duke u njoftuar me punën dhe operimin tashmë të pavarur.