Ministri Ismajli po merr pjesë në konferencën për energji në Frankfurt

Prishtinë, 10.07.2013 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli me bashkëpunëtorë po merr pjesë në konferencën  për energjinë që po mbahet në Frankfurt të Gjermanisë me temën ‘Energy Security – How to Feed and Secure the Global Demand”. Kjo konferencë është pjesë e Konferencës së Munihut që mbahet çdo vit dhe që adreson çështjet e sigurisë globale.

Në vigjilje të kësaj konference, ministri Ismajli u takua me ekspertë të fushës së energjisë nga vende të ndryshme evropiane. Ai pati takim me Prof. Dr. Friedbert Pfluger – Drejtor i Qendrës Evropiane për Energji dhe Burime të Sigurisë, me të cilin biseduan për mundësitë dhe modalitetet e bashkëpunimit me Kosovën.

Po ashtu, një takim të rëndësisë së veçantë ministri pati edhe me z.Narendra Taneja – president i World Energy Summit. Ndërsa, takime të ndara, ministri Ismajli pati edhe me ekspertë të energjisë nga institute dhe asociacione të ndryshme dhe me renome nga fusha e energjisë si EUCERS King College London, Energy Research Institute etj.

Vlen të theksohet se organizator i kësaj konference është ambasadori Wolfgang Ischinger, ish ndërmjetës dhe përfaqësues i BE-së në trojkën që ndërmjetësoi në bisedimet Kosovë – Serbi, me të cilin ministri Ismajli zhvilloi një takim shumë miqësor dhe me të cilin u bisedua për mundësinë që Kosova të zgjerojë bashkëpunimin me kompani gjermane në radhë të parë por edhe me vende e kompani të vendeve të tjera në fushën e energjisë. Konferenca vazhdon punimet edhe nesër.