Ministri Ismajli në konferencën për Efiçiencë të Energjisë në Tiranë
Tiranë, 14.09.2014 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli po qëndron në Tiranë, ku po merr pjesë në punimet e Konferencës “Politikat e Efiçiencës së Energjisë mundësitë për bashkëpunimin rajonal”, organizuar nga Forumi Ballkanik dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë.
Punimet e kësaj konference i kanë hapur, ministri Fadil Ismajli së bashku me homologun e tij Damian Gjiknuri, drejtoreshën e Forumit Balkanik, Luna Kallash dhe përfaqësuesin e delegacionit evropian Clive Rumbold.
Me këtë rast ministri Ismajli, duke falënderuar të pranishmit ka vlerësuar lartë rëndësinë e këtij takimi duke thënë se sot energjia përbënë një nga sfidat më të mëdha të civilizimit njerëzor, e sidomos të vendeve në zhvillim.
“Mungesa e burimeve të mjaftueshme të energjisë dhe kapitalit për t’i shfrytëzuar, ka ngritur nevojën për shfrytëzim sa më racional të sasisë ekzistuese të energjisë”, ka thënë Ismajli.
Po ashtu ai ka bërë të ditur se tashmë Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës për periudhën 2013-2022 është proceduar për miratim në Kuvend të Kosovës, duke shtuar se synimi kryesor i kësaj strategjie është orientimi i politikave të përshtatshme për furnizim të qëndrueshëm të energjisë.
Ministri Ismajli, ka pohuar se Kosova si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të energjisë, përpos harmonizimit të legjislacionit në përputhje me direktivat përkatëse evropiane, në fushën e efiçiencës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm politiko-programor, ligjor dhe institucional për promovimin e efiçiencës së energjisë.
“Kemi ligjin për Efiçiencë të Energjisë, një sërë udhëzimesh administrative dhe është themeluar Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë si dhe Komisioni Certifikues i Auditorëve dhe Menaxhereve të Energjisë. Po ashtu janë bërë investime të konsiderueshme në fushën e EE me projekte të bashkë financuara nga GIZ, KFW-së, Komisioni Evropian, Banka Botërore, BERZH-i, UNDP si dhe IFC, drejt promovimit dhe zbatimit të masave të Efiçiencës së Energjisë në ndërtesat publike, ndriçimin publik nëpër qytetet e Kosovës si dhe financimi në NVM dhe amvisëri”, ka thënë ai.
Nga ana e tij, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, është shprehur se bashkëpunimi rajonal në fushën e efiçiencës së energjisë sjellë përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetareve, rrit mundësitë e punësimit si dhe ulë koston e faturës së energjisë.
Ministri Gjiknuri ka përmendur ndikimet që kursimi i energjisë sjellë në fushën e ambientit duke shtuar se çështjen e efiçiencës së energjisë Qeveria Shqiptare e trajton me seriozitetin maksimal, duke ditur ndikimet pozitive të saj.
Ndërsa, për rëndësinë e këtij takimi, kanë folur edhe Luna Kalash drejtoreshë e Forumit Ballkanik dhe Clive Rumbold përfaqësues i delegacionit evropian, të cilët kanë potencuar faktin se bashkëpunimi i vendeve të rajonit në fushën e efiçiencës së energjisë është i domosdoshëm dhe si i tillë krijon mundësi të mira punësimi respektivisht hap perspektivë më të shpejt drejt BE-së.