Ministri Ismajli informohet me aplikimin e teknologjisë më të re në PTK

Prishtinë, 30 tetor 2013 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka vizituar ndërmarrjen publike Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) ku zhvilloi  një takim pune me Bordin e Drejtorëve dhe Menaxhmentin e PTK-së.

Me këtë rast zyrtarët e PTK-së  njoftuan ministrin Ismajli për rrjedhën e zhvillimit të biznesit të PTK-së në përgjithësi, ndërsa, në fokus të veçantë ishte plani i PTK-së për zhvillimin dhe implementimin e teknologjisë së gjeneratave të reja të telefonisë mobile 3g/LTE në rrjetin e telefonisë mobile të operatorit Vala.

Udhëheqësit e PTK-së, siguruan ministrin Ismajli se do të bëjnë përgatitjet e duhura për të filluar me ofrimin e shërbimeve të reja të telefonisë mobile për klientët e PTK-së në një afat optimal.

Po ashtu, ata shprehen bindjen e tyre se me fillimin e ofrimit së shërbimeve 3g/LTE nga operatori Vala, klientët e PTK-së do të kenë shërbime më kualitative të telefonisë mobile, gjë që do të ndikoj pozitivisht edhe në afarizmin e mëtutjeshëm të kompanisë.

Me këtë rast, ministri Ismajli ka falënderuar Bordin  e PTK-së, ekipin e ekspertëve për punën e bërë  duke inkurajuar ata që të  vazhdojnë me këtë trend përfshirë qasjen proaktive që ka Bordi  edhe në rrethanat aktuale kur kompania gjendet në mes të procesit të privatizimit të 75% të aksioneve të saj.