Ministri Blerim Kuçi priti kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-it, Ilir Shala

 

Prishtinë, 02.07.2020 – Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi priti sot në takim kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-it, Ilir Shala.

 

z. Shala e njoftoi Ministrin për nënshkrimin e Marrëveshjes së re të kyçjes me ENTSO, ku theksoi se me fillimin e implementimit të marrëveshjes së re të kyçjes në mes të KOSTT-it dhe ENTSO-së, KOSTT-i do të operojë si zonë rregulluese e pavarur brenda Bllokut AK me Republikën e Shqipërisë, në kuadër të zonës sinkrone të Evropës Kontinentale.

 

Marrëveshja e re e kyçjes KOSTT-ENTSO, pritet të fillojë së zbatuari në vjeshtë të këtij viti, pas përfundimit të përgatitjeve teknike të Operatorëve të Sistemit Transmetues të Evropës Kontinentale dhe Koordinatorit Swissgrid (Operatori i Sistemit Transmetus të Zvicrës), derisa KOSTT-i, tashmë ka realizuar të gjitha përgatitjet teknike operative për të qenë i gatshëm për fillimin e operimit të pavarur.

 

Marrëveshja e re e kyçjes KOSTT-ENTSO përfshinë:

 

– Freskimin e Katalogut të masave, sipas rekomandimeve të Grupit të Projektit për KOSTT-in;-Zëvendësimin e të gjitha referencave të doracakut të Operimit të Marrëveshjes Shumëpalëshe me referencat e SAFA (Marrëveshja Kornizë e Zonës Sinkrone);

 

-Që kompania Elektrosever, të aplikojë në ZRRE dhe të licencohet brenda 30 ditëve sipas kornizës ligjore dhe rregullative të Kosovës, për të furnizuar me energji elektrike konsumatorët në pjesën veriore të Kosovës.

 

Ndërkaq përfitimet nga operacionalizimi i marrëveshjes janë të mëdha:

 

-Inkasimi i të hyrave nga shfrytëzimi i rrjetit transmetues interkonektiv apo alokimi i kapaciteteve dhe menaxhimi i kongjestioneve, që kap vlerën në mesatare vjetore 4.0 – 8.0 milionë Euro dhe nga transiti rreth 0.5 – 1.0 milion euro;

 

– Lëshimi në operim të plotë i linjës interkonektive 400 kV, Kosovë – Shqipëri;

 

-Implementimi i plotë i Marrëveshjes së Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri, nënshkruar në Tiranë, më 26.11.2019;

 

– Bashkimi i tregjeve elektroenergjetike me Shqipërinë si dhe

 

– Pjesëmarrja me aksione në Bursën Shqiptare të energjisë elektrike (APEX).

 

Ministri Kuçi përgëzoi z. Shala dhe ekipet profesionale të KOSTT-it, për arritjet dhe sukseset, ku shprehi mbështetjen dhe përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e plotë të detyrimeve, të cilat dalin nga kjo marrëveshje për KOSTT-in dhe për Republikën e Kosovës.

 

Ministri Kuçi gjithashtu shprehi mbështetjen për Grupin Punues për përgatitjen e Planit të Veprimit për sigurinë e furnizimit me energji elektrike, i cili do punojë për adresimin e furnizimit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, e në veçanti në pjesën veriore të vendit.