Ministri Beqaj vizitoi kompanitë “Solid” dhe Hidroregjioni Jugor Sh.A”

Prishtinë, 02.04.2013 -Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka vizituar sot fabrikën e këpucëve “Solid” në Suharekë dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor Sh.A”, në Prizren me ç’rast për së afërmi është informuar me punën e tyre dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet këto kompani.

Ministri Beqaj pas takimit me menaxhmentin e KRU “Hidroregjioni Jugor Sh.A”, tha se qëllimi i kësaj vizite ishte njoftimi me ecurinë e projektit që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për komunën e Prizrenit, projektin për trajtimin e ujërave të zeza, që ka një vlerë prej 22 milionë euro, realizimi i të cilit pritet të nis së shpejti, ndërsa do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve të kësaj komune.

“Unë u njoftova edhe me punën që është duke bërë kompania për gjetjen e burimeve të reja të ujit, të cilat sigurojnë ujë cilësor, gjendjen e inkasimit dhe instalimin e ujëmatësve të cilët do ta ndihmojnë kompaninë të identifikojë shumë më mirë humbjet e ujit dhe nismat e saj të reja që kanë të bëjë me ndërrimin e gypave nga burimet deri në qytetin e Prizrenit”, tha Beqaj.

Ai tha se me stafin e “Hidroregjioni Jugor Sh.A”,  ka diskutuar edhe për investimet në nivel rajoni, respektivisht investimet në Suharekë dhe instalimin e ujësjellësit në disa fshatra që është bërë më herët, një bashkëfinancim i Qeverisë dhe donatorëve që tregon se Qeveria është e përkushtuar që të ofrojë shërbime sa më cilësore dhe të përballueshme për qytetarët.

Kreu i MZHE-së me këtë rast tha se kompanitë publike që ofrojnë shërbime për qytetarët kanë shënuar përparime në ofrimin e shërbimeve më cilësore duke përmendur përmirësimin e furnizimit me energji elektrike, furnizimin me ujë, trajtimin e ujërave të zeza dhe mbeturinave.

Nga ana e tij, kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Hidroregjioni Jugor Sh.A”, Besim Baraliu ka theksuar se kjo ndërmarrje falë mbështetjes nga Qeveria ka arritur të bëhet më aktive duke siguruar fonde dhe ka arritur që qytetarëve të Prizrenit t’i sigurojë ujë më cilësor pa ndërprerje.

Ai ka vënë në dukje se kjo kompani rajonale është në proces të realizimit të një sërë projekteve që kanë të bëjnë me përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes dhe trajtimin e ujërave të zeza, duke nënvizuar projektin më të madh që është duke u realizuar në Kosovë, atë të trajtimit të ujërave të zeza, që është bashkëfinancim i Kfw-së dhe Qeverisë në vlerë prej 22 milionë euro.

Ndërkaq, gjatë vizitës në fabrikën për prodhimin e këpucëve “Solid” Suharekë, ministri Beqaj është njoftuar nga menaxhmenti i saj me të arriturat dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet kjo kompani private.

Beqaj me këtë rast ka ritheksuar përkushtimin e Qeverisë për t’i krijuar bizneseve infrastrukturën e nevojshme me qëllim të krijimit të parakushteve për zhvillimin e tyre, ndërsa ka përgëzuar menaxhmentin e “Solid” për të arriturat.

Fabrika e këpucëve “Solid”  në Suharekë ka një traditë pune rreth 20 vjeçare dhe ka mbi 200 të punësuar, ndërsa ofron të gjitha llojet e këpucëve për çka ka kaluar kufijt e tregut të Kosovës.