Ministri Beqaj u prit nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha
Tiranë, 22 gusht 2011 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj është pritur sot në Tiranë nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili parashtroi një plan zhvillimi dhe bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve.
Ministri Beqaj gjatë takimit prezantoi situatën aktuale ekonomike të Kosovës dhe proceset e privatizimit të sektorëve strategjik të telefonisë dhe energjisë.
Ai shprehu besimin se sidomos me kushtet e reja të krijuara, bashkëpunimi i sektorit privat të dy vendeve ka mundësi të rritet edhe më shumë, nga shfrytëzimi i hapësirës së krijuar nga ndalimi i produkteve serbe. Nxitja e bashkëpunimit duhet të synojë si fushën e investimeve ashtu edhe atë tregtare.
Sektori i prodhimit të energjisë është një sektor tjetër me prioritet për qeverinë e Kosovës, ku ka fushë të madhe bashkëveprimi. Kombinimi i burimeve të energjive të rinovueshme të Shqipërisë me burimet e prodhimit të energjisë nga pasuritë natyrore të Kosovës, si lignit, përbën një bazë të fortë për integrimin e sistemeve energjetik të të dy vendeve.
Kryeministri Berisha pasi i uroi mirëseardhjen ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Beqaj, shprehu kënaqësinë e tij për vendimet e rëndësishme të qeverisë së Kosovës, në lidhje me privatizimet në fushat strategjike, të cilat përbëjnë dhe bazën e reformave themelore ekonomike.
Ai i quajti këto vendime të guximshme si shumë të rëndësishme për zhvillimin e shpejtë ekonomik të Kosovës duke iu referuar shembullit qeverisës të Shqipërisë, e cila falë privatizimeve arriti të ngrejë të ardhurat për frymë nga 204 dollarë në 1992, në rreth 8000 dollarë sot.
Është tashmë e faktuar , tha kryeministri Berisha, që menaxhimi i suksesshëm dhe efiçenca e ekonomisë qëndron në anën e sektorit privat.
Në këtë kuadër ai theksoi se edhe ekonomia shqiptarë është bazuar thellësisht në privatizime, të cilat janë drejt përfundimit duke mbajtur në sektorin publik vetëm disa asete të rëndësishme energjetike, asetet e sektorit të arsimit dhe të shëndetësisë.
Kryeministri Berisha tha se qeveria e Kosovës, ashtu si Shqipëria, duhet ta bazojë rritjen ekonomike të Kosovës dhe të mirëqenies të qytetarëve të saj, në shfrytëzimin efiçent dhe transparent të pasurive natyrore të saj, sidomos në sektorin e energjisë.
Synimi final i të dy vendeve është dhe duhet të jetë rritja e të ardhurave për frymë dhe përmirësimi i standardeve të jetesës. Bashkëpunimet tregtare, në fushën e energjisë, si dhe në fushën e bujqësisë dhe agro-biznesit, janë në qendër të vëmendjes të qeverisë shqiptare dhe bashkërendimi i punës në këtë drejtim me qeverinë e Kosovës është i rëndësishëm për zhvillimin e shpejtë të ekonomive të dy vendeve.
Kombinimi i burimeve natyrore të prodhimit të energjisë të të dy vendeve dhe lidhja e sistemeve energjetik me qëllim unifikimin e tyre, nuk është gjë tjetër veçse rruga drejt krijimit të një modeli të suksesshëm energjetik.
Ndërtimi i linjave të transmetimit si ajo Tiranë-Prishtinë, jo vetëm forcon integrimin e sistemeve energjetike, por rrit edhe efiçencën e funksionimit të tyre, duke kursyer 20% të burimeve energjetike.
Ministri Beqaj e falënderoi kryeministrin Berisha, për ndihmën e dhënë Kosovës, në të gjitha fushat dhe konkretisht në atë ekonomike, duke premtuar për forcimin e bashkëpunimit në fushat e sipërpërmendura.
Ai theksoi se Qeveria e Kosovës, do të vazhdonte me zhvillimin e kapaciteteve termike bazuar në burimet natyrore të Kosovës, të cilat komplementojnë zhvillimin e kapaciteteve hidrike dhe eolike të Shqipërisë.
Zhvillimet e bashkëpunimit dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, veçse ndihmojnë integrimin ekonomik të të dy vendeve.

