Ministri Beqaj priti ambasadorin kanadez Edwin Loughin me seli në Zagreb
Prishtinë 16 shkurt 2012 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka pritur Edwin Loughin Ambasador i Kanadasë me seli në Zagreb.
Takimi ka pasur fokus diskutimin e mundësive të bashkëpunimit ekonomik në mes dy shteteve.
Me këtë rast Ministri Beqaj ka informuar ambasadorin kanadez z. Loughin me aktivitetet që po zhvillon Ministria e Zhvillimit Ekonomik, përfshirë krijimin e ambientit sa më të mirë për investitorët e huaj.
Ministri Beqaj gjithashtu ka njoftuar z. Loughin që Kosova është duke avancuar infrastrukturën ligjore për investitorët e huaj, duke e ftuar atë që edhe shteti të cilin ai përfaqëson të inkurajohet për të investuar në Kosovë, “Ne jemi duke punuar në fuqizimin dhe promovimin e sektorit privat dhe në këtë drejtim ftojmë të gjitha ndërmarrjet e interesuara të investojnë në Kosovë sepse ata do të gëzojnë trajtim adekuat” , ka pohuar Ministri Beqaj.
Nga ana e tij, Ambasadori Loughin ka shprehur interesim të bashkëpunimit në fushën e sektorit minerar dhe gjithashtu ka ftuar ministrin Beqaj të organizoj një mision tregtar në Kanada me qëllim të eksplorimit të mundësive për bashkëpunim të ndërsjellë në mes dy shteteve.
Ministri Beqaj është shprehur falënderues për interesimin që shteti i Kanadasë po bënë në drejtim të bashkëpunimit në fushën ekonomike në mes dy shteteve.

