Ministri Beqaj kërkon respektim të marrëdhënieve kontraktuale KEK – Biznes
Prishtinë, 05 shtator 2011 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj gjatë takimit me Komunitetin e Biznesit në Oden Ekonomike të Kosovës (OEK) lidhur me furnizimin me energji elektrike për kategorinë A+ ka pohuar se përkushtimi i Qeverisë është zhvillimi ekonomik ku si akter në këtë drejtim janë bizneset. “MZHE si ministri, e cila është e ngarkuar për të monitoruar Ndërmarrjet Publike është në kontakt të rregullt me KEK-un për të parë progresin dhe përmirësimin me energji elektrike, jemi të inkurajuar pasi së fundi kemi përmirësim të madh me furnizimin me energji elektrike, “ ka thënë ministri Beqaj.
Ministri Beqaj gjithashtu ka pohuar se MZHE ka shpalosur para komunitetit të biznesit programin ekonomik të Qeverisë së Kosovës ku parasheh fuqizimin e sektorit privat si element themelor dhe substancial në zhvillimin ekonomik të vendit ku përfshin uljen e papunësisë, rritjen ekonomike. Ministri Beqaj ka pohuar se takimi me drejtorin e KEK-ut z. Arben Gjukaj dhe Komunitetin e biznesit ka pasur qëllim trajtimin e situatës së krijuar për rregullat e kategorisë A+.
Ministri Beqaj me këtë rast është shprehur se takimi po ashtu ka për qëllim marrjen e informacioneve të sakta në mënyrë që të mos krijohet opinion i gabueshëm për këtë çështje. “MZHE e cila monitoron Ndërmarrjet Publike kërkon nga KEK-u që të jetë gjithmonë i gatshëm për t’i dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve që shtrohen nga ana e komunitetit të biznesit dhe kërkon që të dyja palët të diskutojnë kriteret që të arrihet furnizimi i energjisë rregullisht“, ka thënë Ministri Beqaj.
Beqaj po ashtu ka kërkuar edhe nga ana e KEK-ut dhe biznesit që të respektohen marrëdhëniet kontraktuale nga të dyja palët. “Ne kërkojmë vendosje të rendit dhe ligjit dhe kërkojmë që energjia e prodhuar të paguhet dhe të adresohen të gjitha keqpërdorimet e ndryshme nga cila do palë qofshin ato“, ka thënë ministri Beqaj.
Nga ana tjetër Safet Gërxhaliu kryetar i Odes Ekonomike të Kosovës ka pohuar se takimi ka prodhuar efekte pozitive, duke shtuar se OEK mbron interesat e të gjithëve. Gërxhaliu takimin e ka vlerësuar si forcim të dialogimit të partneritetit publiko privat duke shtuar se në takim është parë një pragmatizëm nga e KEK. Gërxhaliu ka vlerësuar se takimi shkon në favor të zhvillimit ekonomik.
Ndërsa drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj ka pohuar se KEK-u ka për mision trajtim të barabartë për të gjithë konsumatorët, duke pohuar se shqetësimet e komunitetit të biznesit të adresohen në mënyrë që të gjendet zgjidhja sa më e favorshme. Gjukaj po ashtu ka thënë se KEK-u është i gatshëm të furnizoj pa ndërpre kategorinë A+.

