Ministrat Ismajli dhe Neziri harmonizojnë projektet me ndikim rajonal

Shkup, 14.11.2014 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, së bashku me Ministrin e Ekonomisë të Maqedonisë, Bekim Neziri, kanë zhvilluar sot një takim në Shkup ku janë dakorduar për projektet e përbashkëta, të cilat dalin nga konferenca e Berlinit dhe Budvës, projekte këto që do të kenë ndikim rajonal, ndërsa financohen nga Bashkimi Evropian.

Më këtë rast të dy ministrat Ismajli dhe Neziri, janë dakorduar se projektet që do të harmonizohen dhe paraqiten para Shqipërisë si koordinatore e këtyre projekteve do të kenë ndikimin rajonal dhe si të tilla do të forcojnë bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe si rrjedhim do të ngrisin zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve.

Me këtë rast, Ministri Ismajli tha se takimi ka të bëjë kryesisht me zhvillimin regjional për shtetet Ballkanit Perëndimor, detyrat që dalin para nesh pas konferencës së Berlinit dhe asaj në Budva të dalim të përgatitur me propozime konkrete në takimin e radhës që do të mbahet në Vjenë.

Ministri Ismajli me tej ka shtuar se tashmë shtetet e Ballkanit Perëndimor, kanë kuptuar se ndodhen në një anije të përbashkët me të cilën duhet lunduar drejt sukseseve të përbashkëta duke e shndërruar këtë pjesë të Evropës vend  të zhvillimit ekonomik.

Ndërsa, Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Bekim Neziri, ka bërë të ditur se projektet që do të paraqiten për financim nga BE-ja, janë projektet e infrastrukturës rrugore me rëndësi rajonale.

Ndër këto projekte ai ka përmendur, rrugën që lidh pikën kufitare Bllacë me Shkupin, projektin e dytë me rëndësi për të dy vendet, rrugën Tetovë-Prizren, që do të lidhë Maqedoninë me Shqipërinë përmes Kosovës, për të cilin ka studim paraprak nga Maqedonia, projekti i tretë ai i rregullimit të transportit hekurudhor  Shkup-Prishtinë- Mitrovicë, që lidhet me Serbinë dhe projekti i katërt me radhë është ndërtimi i një linje të dytë 400 kilovoltëshe në mes Kosovës dhe Maqedonisë që do të ketë impakte pozitive në fushën e energjisë.