MEM nis fushatën e ndriçimit efiçient në të gjithë vendin
Prishtinë, 20 korrik – Me qëllim të rritjes së efiçiencës së energjisë, reduktimin e konsumit të energjisë, kursimin e të hollave dhe mbrojtjen e mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Minierave ka përgatitur një program për popullatën për të promovuar efiçiencën nëpërmjet ndriçimit efiçient.
Në këtë linjë MEM, me mbështetjen e Bshkëpunimit Teknik Gjerman (GTZ), po nis një fushatë për ndriçimin efiçient e cila synon kursimin e energjisë duke zëvendësuar llambat e zakonshme me llamba fluoreshente.
Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka – Pula ka vlerësuar se fushata e ndriçimit efiçient që realizohet nga MEM dhe GTZ është një hap tjetër i implementimit të Strategjisë së Energjisë së Kosovës, duke kontribuar në kujdesin ndaj ekonomisë duke përdorur energjinë elektrike më me efikasitet.
Në fazën e parë të kësaj fushate 200 familje nga Prishtina, Gjakova, Gjilani dhe do të testojnë llambat kompakte fluoreshente të një cilësie të lartë. Familjet e përzgjedhura janë ofruar vullnetarisht të marrin pjesë në këtë testim.
Pas fazës së testimit llambat e tyre ekzistuese idikashente do të zëvendësohen me llamba për kursimin e energjisë të sponsorizuara nga prodhuesi gjerman i llambave OSRAM. Të dyja aktivitetet do të zbatohen nga studentë të Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës dhe studentë të Fakultetit të Sociologjisë të Universitetit AAB, të trajnuar në mënyrë specifike paraprakisht.
Me anë të këtyre mënyrave të thjeshta, me zëvendësimin e 10 llambave, një familje mesatare kosovare kursen rreth 28 € në vit. Kjo do të kursente rreth 7 milionë € për të gjitha familjet kosovare. Në të njëjtën kohë mund të kursehen edhe rreth 30 GWh energji, çka do të rezultonte në më pak ndërprerje të energjisë dhe në një furnizim më të sigurt me energji. Kështu, çdokush që do të kalonte në përdorimin e llambave efiçiente do të mbështesë situatën energjetike të Kosovës.
Përdorimi i llambave të zakonshme indikashente është joefikas. Vetëm 5% e energjisë së marrë nga llamba prodhon ndriçim, pjesa e tjetër e saj humbet nëpërmjet nxehtësisë. Për këtë arsye bashkimi Evropian nisi t’i ndalojë këto tipe llambash duke mbështetur nga ana tjetër përdorimin e llambave për kursimin e energjisë. Këto llamba e përdorin pjesën më të madhe të energjisë së marrë për të prodhuar dritë duke ofruar në të njëjtën kohë të njëjtën cilësi ndriçimi.
Më tej MEM-i kërkon të rrisë eficiencën e energjisë në ndërtesat publike. Për këtë arsye Qeveria me datë 29.10.2009 ka miratuar vendimin i cili detyron përdorimin e llambave efiçiente në të gjitha ndërtesat publike në Kosovë, i cili ka hyrë në fuqi me 1 shkurt 2010.

